Ndodhen pa trajner, në skenë te Apolonia del edhe emri i teknikut 53-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2022 | 14:35

Ndodhen pa trajner, në skenë te Apolonia del edhe emri i teknikut 53-vjeçar

Me apo pa trajner, Apolonia nuk po e ndal punën.

Faslliu

Një ditë pas ndeshjes së Kupës së Shqipërisë, skuadra u është kthyer direkt përgatitjeve. Kohë për të pushuar nuk ka dhe sidomos kur në fundjavë rinis kampionati e përballë do të kenë Lushnjën.

U zhvillua vetëm një seancë dje, ajo e paradites dhe në sallë force. Pasdite nuk zbritën dot në fushë, pasi shiu u bë pengesë. Grupin vazhdojnë ta udhëheqin drejtori sportiv Mariglen Kule dhe përgatitësi atletik Dario Dian.

Ata janë komanduar provizorisht nga klubi për të drejtuar ekipin, sikundër ngjau edhe me Besëlidhjen të dielën.

E megjithatë, çështja është që drejtuesit nuk kanë vendosur ende për pasardhësin e Klevis Dalipit.

Ata po i japin edhe pak kohë vetes, derisa të marrin një vendim për stolin. Në skenë po qarkullojnë edhe emrat e parë.

Kandidat është edhe Adriatik Faslliu, që deri para një javë drejtonte Turbinën dhe u largua fill pas humbjes që pësoi në shifrat 5-2 në Fier.

Gazeta kontaktoi me teknikun sarandjot, por ai qartësoi se nuk ka asgjë konkrete.

Burime jozyrtare bëjnë të ditur se palët janë ende larg zyrtarizimit, pasi fjalën e fundit do ta thotë presidenti Koço Kokëdhima. Apolonia do të luftojë në dy fronte këtë sezon.

Nuk pretendon vetëm ngjitjen, por të shkojë sa më larg edhe në Kupë.

Në këto kushte, trajneri i ri duhet të pranojë edhe këto objektiva.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"