Ndodh edhe kështu, Gjimshiti gjobitet për miqësoren me Juventusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 17:29

Ndodh edhe kështu, Gjimshiti gjobitet për miqësoren me Juventusin

Mund të jetë ndeshje miqësore, por në Itali e marrin shumë seriozisht atë që ndodh në fushën e lojës, e aq më tepër kur bëhet fjalë për mënyrën se si lojtarët sillen ndaj gjyqtarit. Nga sjellje që janë cilësuar të papërshtatshme e ka pësuar sot Berat Gjimshiti, i cili është gjobitur për sfidën miqësore mes Atalantës dhe Juventusit që u zhvillua pak ditë më parë.

gjimshiti gjyqtari

Në miqësoren e mbyllur me shifrat 3-1 për Juventusin, bluzinjtë u ankuan shpesh për gjykimin e kryesorit Rosario Abiso. Protesta për të cilat Gjimshiti me sa duket e kaloi cakun e kështu u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 57 të sfidës. Por jo vetëm kaq, çështja ka shkuar në komisionet disiplinore të Federatës Italiane, të cilat kanë vendosur një gjobë prej 2 mijë eurosh për futbollistin shqiptar për “protesta kundër zyrtarëve të ndeshjeve”.

Më keq e ka pësuar trajneri i tij, Xhampiero Gasperini. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në atë sfidë, ndërsa sot, ka marrë edhe një gjobë shoqëruese prej 10 mijë eurosh për protestat duke hyrë në fushë kundër gjyqtarit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"