Ndodh çudia te Lushnja, verdhëjeshilët anulojnë stërvitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 12, 2022 | 14:22

Ndodh çudia te Lushnja, verdhëjeshilët anulojnë stërvitjen

Lushnja duhej të niste stërvitjen dje. Lojtarët ishin lajmëruar se në orën 19:00 në Plug do të startonin punën për sezonin 2022-2023. Por nuk ndodhi kështu.

lushnja

Urdhri i dytë anuloi ta parin. Faza përgatitore është shtyrë për më vonë dhe e bukura është se nuk ka asnjë datë zyrtare. E thënë ndryshe, verdhejeshilët janë në “ajër”.

Me merkaton nuk kanë nisur ende. Gjithçka ka ngecur tek emërimi i trajnerit.

Që prej momentit që u zgjodh Klodian Duro në stol, nuk ka pasur asnjë lëvizje për ndërtimin e ekipit të ri. Negociata sigurisht që po zhvillohen, por zyrtarisht nuk kanë prezantuar qoftë edhe një afrim.

LARGIMET – Ndërkohë, ekipi i vjetshëm vijon të tkurret dita-ditës. Braziliani Hugo da Silva është larguar me kohë, mbrojtësi Igli Moqi ka shkuar tek Orikumi, mesfushori Xhuljan Reçi është emëruar përgatitës atletik te Korabi dhe qendërmbrojtësi Kladi Broshka është shumë pranë AF Elbasanit.

E megjithatë, listës i shtohen edhe dje. Nuk do të jetë më pjesë e Lushnjës edhe mbrojtësi Aldo Qoshku. Ai konfirmon “divorcin” për “Panorama Sport” dhe qartëson se do të shohë interesat e tij.

“Vendosa të mos rri më te Lushnja. E kisha menduar këtë që kur u mbyll sezoni. Tani të shoh interesimet dhe të ardhmen”. Ndoshta e priste një telefonatë nga klubi, por ajo nuk ka ardhur kurrë.

Nuk mbaron këtu ama. Në të njëjtën rrugë është edhe sulmuesi Mirjan Hima. E ka thënë edhe me herët, por tani e ka ndarë mendjen. Edhe pse shkurtimisht ka thënë shumë me atë që i pohoi gazetës: “Nuk vij më”.

PUNIMET – Si për të shtuar amullinë që po përjetojnë lushnjarët, mjafton të përmendim atë që po ndodh me infrastrukturën. Investime të mëdha në projekt dhe miliona të hedhura, por punimet kanë ngecur në terrenet përreth stadiumit. As në “Roza Haxhiu” nuk po bëhet asgjë, ndonëse u tha që do të ndërrohej tapeti.

I vjetri ka degraduar me kohë. Me këtë ritëm, duket se Lushnja do të gjejë tjetër impiant për të luajtur ndeshjet shtëpiake.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"