Ndizet merkato/ Skënderbeu bind një kampion, manovra për zëvendësuesin e Pusit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2023 | 12:25

Ndizet merkato/ Skënderbeu bind një kampion, manovra për zëvendësuesin e Pusit

Skënderbeu nis të marrë frymë. Më në fund, merkatoja ka filluar të lëvizë. Edhe pse ka dy javë që Ivan Gvozdenoviç po vuan prej grupit të cunguar, situata po shkon drejt përmirësimit dhe gjasat janë që deri në rifillimin e kampionatit, skuadrës t’i jenë bashkuar që të gjitha pjesët.

Pusi

MORAESH DHE DUMFUR Ka mbërritur i pari përforcim në ekip. Pas pritjes së stërgjatë, Agnaldo Moraesh ka zbarkuar në tokën shqiptare. Mesfushori kishte mbyllur marrëveshjen me bardhekuqtë prej një muaji, por vetëm dje erdhi në Korçë. Vonesa e brazilianit nuk ndodhi vetëm për çështje burokratike. Nga sa bëjnë me dije burimet pranë klubit, shkak është bërë viza e bashkëshortes së 28-vjeçari. Lojtari kishte kërkuar që të vinte në Korçë me familjen e tij. Kjo gjë ishte mirëkuptuar nga ana e drejtuesve, që nga sot do të kenë në fushë edhe lojtarin e shumë kërkuar prej trajnerit serb. Një tjetër lajm i mirë vjen për bardhekuqtë. Të shtunën do të bashkohet me ekipin edhe Randi Dumfur. Mesfushori prej muajsh është i federuar me Skënderbeun, por fizikisht ende nuk është vënë nën urdhrat e stafit teknik. Edhe ai po priste vizën dhe pasi e ka marrë, do të marrë fluturimin për Shqipëri. Me Moraesh dhe Dumfur, Skënderbeu mund të quhet i plotësuar në repartin e mesfushës. Dy afrimet e konfirmuara prej kohësh, i japin qetësinë e duhur edhe teknikut 44-vjeçar.

ME IDRIZAJN KA AKORD Largimi i befasishëm i Vangjel Zguros, vuri në punë klubin. Kanë kohë që po kërkojnë mbrojtës. Jo vetëm e kanë pikëtuar, por edhe po negociojnë. Hektor Idrizaj duket se do të jetë afrimi i radhës, për të zëvendësuar pogradecarin. Ai luan djathtas, por edhe majtas dhe një “xhol” i tillë do t’i bënte punë bardhekuqve. Vlonjati ka arritur parimisht akordin me Skënderbeun dhe drejtuesit e klubit dhe pritet të mbërrijë në Korçë ditët në vijim, madje pa u mbyllur java. Me 33- vjeçarin plotësojnë edhe një tjetër repart, që ishte në emergjencë edhe prej dëmtimeve të Oltion Rapajt dhe Dritmir Becit.

KËRKIMET PËR SULMUES Me tri afrimet e para të sigurta, bardhekuqtë presin edhe një përforcim të fundit për të finalizuar këtë hapësirë merkatoje. Largimi i Belajdi Pusit ka hapur një “gropë” të madhe në sulm, ndonëse të pakën iu kthye Abdul Temitope. Sidoqoftë, sezoni nuk mund të përballohet pa një tjetër “bomber”. Në kushte të tilla, korçarët po kërkojnë afrimin e një lojtari cilësor për vijën e parë. Qëllimi është që të jetë menjëherë i gatshëm për trajnerin dhe jo një “bast” për të ardhmen. Për momentin, asnjë emër nuk po del në skenë dhe klubi po mban gjithçka të fshehtë për të mos krijuar hapësirë për ekipet e tjera. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në vijim se kush do të jetë i zgjedhuri i Skënderbeut për të mbuluar këtë pozicion të lënë të lirë nga shkodrani i transferuar në Azerbajxhan.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"