Ndizen sirenat e para pas disfatës ndaj Augsburgut, Kahn: Nagelsman qëndron te Bajerni, përgjegjës janë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2022 | 12:55

Ndizen sirenat e para pas disfatës ndaj Augsburgut, Kahn: Nagelsman qëndron te Bajerni, përgjegjës janë…

Ditët më diell duken se janë larguar para kohe dhe i kanë lënë vend erërave të forta nën çatinë e “Allianz Arena”-s. Fjala është për rekordmenët gjermanë të Bajern Mynihut, aty ku disfata e parë sezonale ndaj Augsburgut do të shkaktonte diskutime të forta mbi gjendjen e ekipit pas 4 ndeshjeve pa fitore dhe pozicioni i trajnerit Nagelsman.

KAHN

Së fundmi, CEO i klubit më të titulluar në gjermani ka dashur të hedhë mbas krahëve ato momente negative me disa gota birrë gjatë ceremonisë së “Oktober Fest”. Gjithsesi, 53- vjeçari u dha shpjegim mediave në lidhje me ecurinë e klubit, përgjegjësit dhe të ardhmen e teknikut Julian:

“Të gjithë jemi të pakënaqur nga ajo se çfarë po ndodh në ekip në këto 4 javët e fundit. Duket se gjithçka u zhduk si me magji nga ai fillim mbresëlënës. Por kjo nuk do të thotë se do të vazhdojë edhe në ndeshjet e tjera. Të gjithë duhet të reflektojmë dhe ta gjejmë arsyen te vetja se përse kemi shkuar në këtë pikë”, pohoi Kahn. Legjenda e Bajernit u ndal edhe tek e ardhmja e teknikut aktual, madje duke u kthyer në një mburojë pas sulmeve të shumta në drejtim të tij, si shkaktari kryesor i ngërçit që po kalojnë bavarezët:

“Nuk e kuptoj se përse gjatë kohës kur një skuadër nuk merr rezultatet që prodhon në fushë, faji peshon vetëm te trajneri. Duhet të jemi më të kthjellët në interpretimet që ndërtojmë, nëse skema nuk do të ishte ajo e duhura e përdorur nga Juliani, si do të arrinim të prodhonim 19 goditje në portën e Augsburgut.

Është pikërisht kjo statistikë, e cila vlen të zbërthehet dhe të kuptohet se nga buron problemi i vërtetë”. Oliver nuk la asnjë mundësi interpretimi ku u fol mbi të ardhmen e trajnerit:

“Me Nagelsmanin kam pasur komunikime të vazhdueshme dhe kemi krijuar besim te njëri-tjetri. Jam i bindur se së shpejti rruga e fitoreve drejt suksesit do të vijë me në krye Nagelsmanin.

Nuk dua të diskutoj diçka e cila është e përcaktuar qartë dhe nuk ka nevojë të përsëritet. Juliani qëndron me ne dhe mjaft mbi këtë diskutim. Por mbi paraqitjet e lojtarëve dhe përgjegjësinë e tyre mund të flasim gjatë. Mjafton t’i shikoni 4 ndeshjet e fundit në kampionat dhe të kuptoni arsyen se përse nuk fitojmë.

Sot në futboll nuk falet asgjë, ashtu si mundësitë e shpërdoruara nga lojtarët tanë. Nëse ecim me idenë se kemi fituar 10 tituj rresht dhe do ta fitojmë edhe këtë, atëherë jemi të humbur”, përfundoi ai.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"