Ndikumana vulosi fitoren e fundit: Ja si thyhen korçarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2016 | 8:40

Ndikumana vulosi fitoren e fundit: Ja si thyhen korçarët

Tirana ka 17 muaj që nuk e mposht dot Skënderbeun. Fitorja e fundit daton më 13 dhjetor 2014, pra afro një vit e gjysmë përpara. Asokohe triumfi erdhi prej këmbëve të Selemani Ndikumanës.ndikumanaEdhe pse është larguar prej kohësh nga kryeqyteti, gjithkush e kujton ish-sulmuesin kapricioz të bardhebluve, i cili përveç aftësive të tij në fushë, dallohej për situatat problematike që krijonte.

Aktualisht luan në Burundi, me Vital’o, por duket se ende nuk i është shkëputur zemra nga Shqipëria. Vazhdon të ruajë kontaktet me lojtarët bardheblu, por edhe anëtarë të stafit. Në një rrëfim të dhënë për “Panorama Sport” ai na kthen në kohë, teksa tregon kohën kur mposhti i vetëm Skënderbeun.

Edhe pse të gjithë e njohin si një person me vetëvlerësim të lartë, meritat nuk i mban për vete, por i ka shpërndarë te skuadra. “Çfarë më kujtuat… e mbaj mjaft mend atë ndeshje. Ishte një fitore që erdhi prej shpirtit të skuadrës. Në atë takim na bëri punë edhe qendra e mbrojtjes së Skënderbeut.

Kujtoj që ishte shumë e avashtë, ndërsa unë shumë herë më i shpejt se ai. Shfrytëzova shansin dhe shënova dy gola”, tha fillimisht Ndikumana, i cili i referohet Jashanicës si lojtarin e ngadaltë, të cilin e dribloi dhe parakaloi dy herë në atë takim (në të 8-ën minutë dhe të 51-ën), që asokohe luhej në “Qemal Stafa”.

Këshillat

Kapiteni i Burundit nuk heziton që të japë edhe një këshillë në distancë për ishshokët e ekipit. “Nëse përsërisin atë ndeshje, pse jo mund t’ia dalin. Mjafton që të luhet me shpirt. Ky është një faktor bazik për ecurinë pozitive të një ekipi. Edhe pse jam larguar, i ruaj kontaktet me pjesën më të mirë të lojtarëve.

Flas ndonjëherë në ‘Instagram’, ndërsa vazhdimisht komunikoj me Egbon (trajneri i portierëve). Ai më informon për ecurinë e Tiranës”. Ndikumana flet edhe për objektivin sezonal të Tiranës. Sipas tij, skuadra i ka që të gjitha shanset që të presë një “biletë” në zonën “Euro”.

Ai shpreson që atë që nuk u arrit vjet, të realizohet me sukses këtë sezon. “Shpresoj që të shkojnë në Europë. Shanset janë. Gjithçka mund të arrihet”, përfundoi ish-sulmuesi, i cili luajti për një vit e gjysmë me bardheblutë. Ai numëron 42 prezenca në fushë me Tiranën, duke shënuar 12 gola në total.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"