“Ndihmoi Burrelin”, Bardhi “shfryn” ndaj gjykimit: Cjapi këtë punë ka, u qetësua vetëm pas penalltisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2020 | 22:10

“Ndihmoi Burrelin”, Bardhi “shfryn” ndaj gjykimit: Cjapi këtë punë ka, u qetësua vetëm pas penalltisë

Sinan Bardhi “skanon” Besëlidhjen. Barazimi i fundit e ka shqetësuar shumë trajnerin, por ai beson se kthesa nuk do të vonojë. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai e pranon që skuadra ishte dobët, gjithsesi iu duk i tepërt gjykimi i Kreshnik Cjapit.

bandicam-2020-11-28-15-52-31-689

“Kundër Burrelit skuadra u paraqit dobët dhe kjo më shqetësoi disi. Por e them hapur: Nuk jam pesimist. Sot (dje) zhvilluam analizën e zakonshme dhe konstatova disa gabime, që nuk ishin të pakta dhe më pas nisëm stërvitjen. Më jep besim cilësia e grupit për të vazhduar rrugën drejt objektivave. Jam i lumtur që m’u dha rasti ta drejtoj Besëlidhjen, pasi këtu në Lezhë gjithçka funksionon. Vetëm se duhet punë sistematike dhe vlerësim i të gjithë kundërshtarëve”, u shpreh fillimisht tiranasi.

GJYKIMI – Ai ka ankesa edhe për gjykimin dhe konkretisht për kryesorin Kreshnik Cjapi. “Edhe pse Besëlidhja nuk ishte në lartësinë e duhur, nuk do të thotë që fitoren duhet ta marrë medoemos ekipi që kemi përballë, ashtu siç ndodhi të shtunën nga gjykimi. Vetëm pas akordimit të penalltisë u normalizua arbitrimi, pasi i shkarkoi të gjitha bateritë në ndihmë të Burrelit. Unë nuk kam kohë që të merrem me Cjapin…

Cjapi këtë punë ka, sapo nis kampionati dënohet 8 javë, më pas falet. Ne i bëjmë thirrje departamentit të caktimit të gjyqtarëve që të mendohen mirë kur t’i caktojnë gjyqtarët, pasi ne do të detyrohemi që ta shpallim Cjapin ‘non grata’ në Lezhë. Nuk mund të vazhdohet kështu. Kundërshtari ishte shumë agresiv në fillim të lojës dhe duhej mbushur me kartonë, por kjo nuk ndodhi për shkak të gjykimit të njëanshëm”, theksoi numri një i pankinës lezhjane.

REAGIMI – Trajneri beson se kthesa do të vijë në Peshkopi, atje ku të shtunën do të përballen me Korabin. “Tani në radhë kemi transfertën ndaj Korabit në fushën e tij në Peshkopi.

Normalisht që kundërshtarin po e vlerësojmë, pasi nuk duam që të gabojmë. Tani nuk ka më fushë të lehtë apo të vështirë, ne shkojmë në Peshkopi për të luajtur futboll dhe dëshirojmë që gjithçka të jetë ‘Fair Play’, ashtu siç i presim ne në Lezhë kundërshtarët. Ne do të shkojmë në këtë transfertë vetëm për fitore. Kam shumë besim te skuadra pasi ngërçi që pësoi në takimin e fundit, tashmë ka kaluar dhe tani është zhbllokuar totalisht”, përfundoi trajneri i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"