Ndihmësi i De Biazit: Po të vinte më parë, do kishim… Behramin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2016 | 20:23

Ndihmësi i De Biazit: Po të vinte më parë, do kishim… Behramin

“Vëmendja më e madhe gjatë ditës së djeshme ka qenë e përqendruar te dueli GR7- CR7 mes Grizman dhe Ronaldos, ndërkohë që në Europian ka pasur edhe të tjerë personazhe që për vende të ndryshme kanë pasur rëndësinë e tyre.

Alberto Bele gjatë një seance stërvitore me lojtarët e Kombëtares shqiptare

Alberto Bele gjatë një seance stërvitore me lojtarët e Kombëtares shqiptare

Sidomos kur bëhet fjalë për një Kombëtare debutuese si Shqipëria, ku çdo pjesëtar i stafit ka pasur punë të madhe për të bërë me futbollistët.

Aq më tepër kur vjen puna te përgatitjet atletike, për të cilat 52- vjeçari Alberto Bele tregon gjithçka”, është nisja e shkrimit të “QDPnews.it”, e cila ka intervistuar bashkëpunëtorin e trajnerit të Kombëtares.

Alberto, si shkoi në Francë?

Mirë, kemi nderuar futbollin shqiptar. Sigurisht që dëshira është të bësh sa më shumë, megjithatë kemi dhënë kënaqësi të mjaftueshme për tifozët tanë: gjatë këtyre dy viteve, për pak ia dolëm edhe në Botëror, ndërkohë që u kualifikuam dhe u paraqitëm denjësisht për herë të parë në Europian.

Në tortën e meritave, cila pjesë është e De Biazit për të gjithë këtë arritje?

Merita e madhe është e tij. Ai ishte i pari që besoi në këtë Kombëtare se mund të arrinim diçka. Në fushë ka treguar gjithashtu vlera, me zgjedhjet inovative që ka bërë, duke përfshirë në formacion lojtarë që askush nuk i shihte të aftë për diçka të tillë. Jo vetëm kaq, ” por ka bërë një punë të shkëlqyer në “skauting” (zbulimin e talenteve dhe futbollistëve). Nëse do të kishim ardhur në Shqipëri përpara 2011-ës, besoj që shumë lojtarë që aktualisht luajnë për Kombëtare të tjera, tashmë do të ishin pjesë e jona. Për shembull Valon Behrami.

Si keni nisur të bëni përgatitësin atletik?

E kam nisur rreth 20 vite më parë në “Pieve di Solio” dhe kam qenë mes atyre që kanë hapur shkollën e futbollit “Kareni”. Më pas kam kaluar te “Pievinja”, “Giorgione di Castelfranco” duke vazhduar më pas te disa skuadra profesioniste e deri te Kombëtarja shqiptare.

Si jeni njohur me De Biazin?

Me anë të menaxherit të përgjithshëm të Breshias, i cili i ka treguar De Biazit për mua, gjithashtu edhe mua më tregoi se kush ishte. Kemi punuar të dy te kjo skuadër dhe na shërbeu si urë lidhëse, edhe pse kemi qenë në kohë të ndryshme pjesë e saj. Në vitin 2011 kam marrë propozimin dhe i jam bashkuar De Biazit për të punuar në Tiranë.

Si është të jesh përgatitësi i një Kombëtareje, një ekipi që bashkohet vetëm pak ditë të vitit?

Më duhet që gjatë gjithë vitit të komunikoj jo vetëm me lojtarët, rreth 30, por edhe me stafet teknike të skuadrave të tyre për të ditur gjithçka gjatë gjithë kohës, për secilin. Tashmë jemi mësuar si të punojmë në pak ditë dhe sidomos duke ditur që lojtarët duhet të jenë gati për një ndeshje, ndërkohë që vijnë në mes të kampionateve. Ka edhe vështirësi të tipit që menjëherë pas Europianit, një lojtari i është dashur të pushojë vetëm dy a tri ditë, për t’u nisur drejt Azerbajxhanit për përgatitjet dhe nisjen e sezonit.

Si është puna juaj me lojtarët kur janë në grumbullim?

Nis fillimisht mbi bazën e informacioneve në lidhje me gjendjen e plotë të secilit prej tyre. Përballja direkte me secilin në fushën e lojës, vlerësimi i gjendjes së plotë fizike, gjithashtu edhe në bazë të të dhënave që japin mjetet e ndryshme matëse. Kombinimi i të gjithë këtyre bën që të krijohet vlerësimi real i gjendjes së gjithsecilit prej tyre. I lihet shumë pak rastësisë…

Si u përjetua Europiani brenda kësaj skuadre?

Ka qenë një organizim i shkëlqyer dhe një ndjesi mjaft e mirë.

Po për Kombëtaret e tjera, si është niveli i stafeve teknike?

Pjesa dërrmuese e skuadrave kanë stafe shumë të përgatitura. Niveli i secilit prej tyre është shumë i lartë dhe përgatitja e ndeshjes bëhet në forma thuajse perfekte, duke studiuar kundërshtarin deri në detajet më të vogla dhe në të njëjtën kohë duke përgatitur mënyrën personale të lojës për ta përballuar me sukses rivalin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"