Ndëshkoi Partizanin, Ymeraj: Tani është radha të mundim Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2017 | 11:23

Ndëshkoi Partizanin, Ymeraj: Tani është radha të mundim Kukësin

Pasi mposhtën Partizanin, kamzalinjtë po mendojnë për planin e radhës. Kukësi është ndeshja e javës së parë për fazën e dytë dhe trajneri Ndreu me stafin e tij ka nisur përgatitjet. Ditën e djeshme u zhvillua seanca e parë stërvitore dhe ngarkesa ka qenë e plotë. Në fakt, e tillë do të jetë në ditët e para dhe kur të afrojë ndeshja, do të ketë rënie të intensitetit të përgatitjeve.

kamza gol partizanit

Kjo gjë do të bëhet për të ruajtur formën fizike dhe për të përballuar 90-minutëshin ndaj Kukësit. Ersil Ymeraj ishte protagonisti i Kamzës në ndeshjen ndaj Partizanit dhe ai thotë se dëshiron të luajë më shumë për të treguar vlerat në fushën e lojës. Ymeraj tregon emocionet e golit me të kuqtë, por edhe planet e së ardhmes.

“Ishte një ditë shumë e lumtur për mua dhe për ekipin tim. Kemi pasur një sezon shumë të mirë dhe gjithmonë në rritje. Gjërat në ekipin tonë tashmë janë sistemuar. Jemi shumë kompaktë dhe luftojmë të gjithë si ekip për të arritur rezultatet pozitive. Golin ia dedikoj skuadrës dhe familjes time, por tani është koha për të parë të ardhmen”, ka thënë Ymeraj.

Ai bashkë me Rezin dhe Mehmetin janë lojtarët më të vjetër në ekip dhe dhanë kontributin në ngjitjen e saj në Superiore. “Ne jemi të gjithë njëlloj, sepse edhe ata që kanë ardhur e kanë kuptuar shumë mirë rëndësinë e grupit dhe dëshirën për të bërë mirë. Duam të bëjmë maksimumin për ndeshjen e radhës dhe e dimë forcën që ka Kukësi. Sigurisht që nuk është e lehtë, por ne do të përgatitemi vetëm për të marrë 3 pikët”, ka thënë Ymeraj.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"