Ndëshkoi Partizanin në fazën e parë, Lushkja: Laçi në rrugën e duhur, fitojmë me “demat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 20:18

Ndëshkoi Partizanin në fazën e parë, Lushkja: Laçi në rrugën e duhur, fitojmë me “demat”

Ndërprerja e kampionatit erdhi në momentin më të mirë të skuadrës kurbinase, e cila kishte marrë katër fitore radhazi. Te Laçi shpresojnë që pushimi i ardhur për shkak të angazhimeve të ekipeve kombëtare të mos e ketë ulur adrenalinën, dëshirën dhe gritën për fitore edhe në takimin e radhës.

lushka

Ndaj Partizanit laçianët kanë disa probleme, kryesisht në repartin mbrojtës, pasi Abdurrahman Fangaj është i pezulluar nga kartonët, ndërsa kapiteni Gjoni, i cili mungon prej javësh, mendohet të mos jetë gati as për “demat”. Deliaj parashikohet të jetë zëvendësuesi i Fangajt në të djathtë të mbrojtjes, por duhet plotësuar mesfusha me këtë lëvizje dhe alternativat janë të pakta te kurbinasit në këtë moment. Gjithsesi, autori i golit të fitores për Laçin në ndeshjen e fazës së parë me Partizanin, Regi Lushkja, ka besim se skuadra do ta kalojë edhe këtë pengesë dhe skuadrën e tij e shikon në rrugën e duhur. Ndërprerjen e kampionatit Lushkja e vlerëson kryesisht në aspektin fizik, pasi lojtarët kanë pasur kohën e mjaftueshme për të rigjeneruar forcat.

Në një prononcim për “RTSH”, autori i tre golave për Laçin në këto 12 javë kampionat, Regi Lushkja, në fillim u shpreh: “Jemi në rrugën e duhur, po vazhdojmë me stërvitjen intensive dhe kemi një besim, pasi rezultatet e fundit kanë sjellë moralin e lartë që po ecim mjaft mirë. Ndërprerja e kampionatit na ka shërbyer që të relaksohemi dhe të rigjenerojmë forcat, pasi kemi pasur shumë ndeshje. Tashmë do të luajmë rregullisht dhe jemi përgatitur më së miri”.

PARTIZANI- Lushkja dhe Laçi e dinë si mundet Partizani i trajnerit Lerda dhe atë që kanë bërë në fazën e parë, shpresojnë ta bëjnë sërish këtë fundjavë. “Partizani si gjithmonë është ndeshje radhe, është një kundërshtar i vështirë. Do ta vlerësojmë në maksimum dhe do të kërkojmë që ta fitojmë takimin”, u shpreh në fund mesfushori i skuadrës kurbinase.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"