Ndëshkoi Egnatian, mesfushori i Lushnjës: Më është bërë… zakon, ishte barazim shumë emocionues

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2020 | 0:12

Ndëshkoi Egnatian, mesfushori i Lushnjës: Më është bërë… zakon, ishte barazim shumë emocionues

Lushnja i ka bërë një nisje pozitive Kategorisë së Parë, teksa në dy javët e para ka grumbulluar katër pikë. Edhe pse kanë pasur përballë skuadra pretendente, si Besa dhe Egnatia, të besuarit e Ilir Gjylës kanë ditur të shkëpusin pikë të rëndësishme në këtë fillimsezon.

Egnatia-Lushnja

Barazimi më i fundit në Peqin erdhi nga këmbët e 34-vjeçarit Ergys Alushi, që u ka dhënë shumë entuziazëm verdhejeshilëve. Mesfushori shfrytëzoi më së miri atë top të gjatë dhe ndëshkoi Egnatian çerekore para fundit. Për lushnjarin nuk është habi që t’u shënojë rrogozhinasve, pasi në 2 vitet e fundit i ka ndëshkuar tri herë.

Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai shfaqet më shumë se i lumtur për golin e artë. E megjithatë, meritat nuk i merr të gjitha për vete.

“Një rezultat pozitiv, shumë domethënës për skuadrën tonë. Kishim besim dhe ndëshkuam kundërshtarin në momentin e duhur. Ekipi tregoi shumë dëshirë grintë dhe ambicie në këtë përballje. Jam shumë i kënaqur për golin. Egnatias i kam shënuar gjithmonë dhe hyra në fushë me shumë besim.

I falem nderit Hysës për atë top të mrekullueshëm që më dha. Ishte një pikë e marrë me shumë mund dhe djersë. Kemi mbledhur katër pikë në dy ndeshje. Unë kam më shumë se pesë vjet te Lushnja dhe kjo fanellë më ka dhuruar shumë. Goli dhe rezultati që morëm ndaj Egnatias kanë qenë një tjetër emocion i bukur”, është shprehur mesfushori kuçovar Ergys Alushi, i cili luan sezonin e gjashtë radhazi në “Roza Haxhiu”.

Këtë javë, kampionati do të ndërpritet, çka u jep mundësi lushnjarëve të rikuperojnë disa lojtarë të dëmtuar. Pas pushimit të së hënës, verdhejeshilët dalin sot në terrenin stërvitor për të përgatitur derbin me Tomorin, që do të luhet të shtunën e ardhshme.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"