Ndëshkohet Doka, Turtulli tremb Ze Marian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 30, 2018 | 11:42

Ndëshkohet Doka, Turtulli tremb Ze Marian

Dënimi nuk vonon! Veprimi në ndeshjen me Teutën duket se nuk do të kalojë pa pasoja për Albi Dokën. Trajneri i Tiranës, Hoze Marselo Ferreirra, ka ndëshkuar lojtarin e kombëtares Shpresa. Gjatë tri ditëve stërvitje të kësaj jave, anësori nuk është përfshirë në ekipin e parë. Në vend të tij është aktivizuar Dorian Kërçiku, duke bërë që Ze Maria të ndryshojë formacion për sfidën me Kukësin.

sg

Në fakt, rokada mes Dokës e Kërçikut vjen menjëherë pas ngjarjeve të takimit Tirana-Teuta, ku trajneri u kap me Dokën për një pas të gabuar në anësore, duke e larguar nga fusha e lojës. Kjo solli dhe nxitimin e lojtarit, i cili u largua i nervozuar nga pankina, por që në fund u përball me trajnerin Ze Maria, që e kritikoi rëndë në televizion. Dhe pas kritikave, vjen menjëherë edhe ndëshkimi me Albi Dokën, që nuk planifikohet titullar për sfidën me kuksianët, ndonëse skuadra ka edhe dy stërvitje për të zhvilluar. Një ndëshkim për lojtarin U-21, të cilit i shpëton vendi i titullarit në 11-shen e Tiranës.

albi doka

TURTULLI
– Shqetësimi më i madh i trajnerit të Tiranës dje ishte Marvin Turtulli. Mbrojtësi kryesor i bardhebluve është shkelur nga një shok në stërvitjen e paradites. Shtatlarti, i cili ka shkëlqyer në dy takimet e para, ka lënë stërvitjen sepse gishti i vogël i njërës këmbë i është fryrë dhe dhimbjet kanë qenë të padurueshme. Pas ekzaminimeve që u bënë pasdite, lojtari nuk ka ndonjë problem serioz, por një goditje të fortë, që gjithsesi e la jashtë seancës së dytë stërvitore. Me të gjitha gjasat, mbrojtësi pritet që të kthehet sot në stërvitje dhe nuk rrezikon për ndeshjen me Kukësin. Për Ze Marian, Turtulli është lojtari kryesor në mbrojtje dhe mungesa e tij do të ishte dhimbje koke për brazilianin. Gjithsesi, mjekët japin garanci për aktivizimin e tij në fushën e lojës.

ze maria

FORMACIONI
– Veç Dokës, në sfidën me Kukësin do të ketë mungesa të tjera. Edhe pse Ilion Lika është në formë, sërish mund të luajë titullar Alesio Abibi. Mbrojtja do të jetë e përbërë nga Kërçiku, Turtulli, Atinga e Hoxhallari. Në mesfushë do të luajnë Karabeci, Kobina e Edon Hasani, i cili dje është kthyer në stërvitje, duke kaluar dëmtimin. Në sulm pritet të ketë risi, ku përveç Blazhevskit, nga minuta e parë do të luajë Gideon Ofei në vend të Junus Sentamusë. Të paktën ky është formacioni që ka provuar trajneri i Tiranës gjatë kësaj jave për sfidën e së dielës me Kukësin.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"