“Ndëshkohen” dy lojtarë, Klodian Duro: Pati anomali para derbit! Kthehemi më të fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 21:25

“Ndëshkohen” dy lojtarë, Klodian Duro: Pati anomali para derbit! Kthehemi më të fortë

Pas humbjes me Apoloninë, Lushnja tashmë renditet e 13-ta. Vendi i parafundit nuk i ngjit fort një ekipi që e ka nisur me pretendime të mëdha sezonin, e megjithatë Klodian Duro nuk dorëzohet. Ai beson se verdhejeshilët do të ringrihen dhe i paralajmëron të tijtë që të ulin kokën dhe të lënë fjalët. Është ndoshta ky shkaku që ka filluar edhe nga dënimet, ndërsa të parët që e kanë pësuar janë Marjus Korreshi dhe Adriatik Basha.

klodian duro

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri rrëfen pse i ka dërguar këta dy lojtarë që të stërviten me ekipin e të rinjve. Elbasanasi ka analizuar me detaje ato që nuk kanë shkuar në këto 360 minuta, por jo vetëm.

U mundët me shifrat 3-0 nga Apolonia, në një ndeshje plot tension dhe tre të kuq. Si është situata pas derbit?

Sigurisht që ne ishim përgatitur për një tjetër gjë. Por me gjithë rrethanat që u krijuan, kjo ndeshje iku dhe nuk e kthej më kokën pas. Duhet të shohim përpara. E kemi të gjithë kapacitetin, të gjithë forcën që të rigrihemi përsëri. Të vazhdojmë rrugën tonë, të cilën e kemi treguar edhe më parë, që dimë t’ia dalim në vështirësi. Çdo gjë arrihet me punë, kështu që fjalët janë të tepërta. Të gjithë duhet të ulim kokën dhe të fokusohemi te ndeshja me Flamurtarin.

Pepa dhe Haxhiu kanë probleme dëmtimi, ndaj nuk janë me grupin?!

Pepa dhe Haxhiu kanë pasur probleme që nga java e kaluar. Haxhiu ka një problem të mbartur prej javësh. Por do të mundohemi të menaxhojmë situatat që t’i kemi të gatshëm. Sot (dje) është vetëm dita e parë e stërvitjes.

Shohim që Korreshi dhe Basha po stërviten me skuadrën e të rinjve. Çfarë ka ndodhur me ta?

Kështu do të jetë edhe në vazhdim, për të gjithë ata futbollistë që nuk zbatojnë detyrat taktike. Kjo do të ndodhë për ata që nuk janë të vëmendshëm apo nuk janë të përqendruar te loja. Derisa ata të mendojnë, të fokusohen tek ato që themi dhe t’i zbatojnë, atëherë do të marrin stërvitjen e duhur me të rinjtë. Sepse ne një ekip jemi, dhe të rinjtë janë ekipi ynë. Kështu do të vazhdojmë edhe në vijimësi.

Duket sikur rëndohet, kur mendon se edhe Canka dhe Ruço nuk luajnë prej kartonëve të kuq…

Atë që prodhoi loja, atë edhe morën. Normalisht nuk duhet të arrinim në këtë pikë, por jo gjithçka varet nga ne. Ne treguam që dimë të ringrihemi dhe në pjesën e dytë kemi zhvilluar një lojë shumë të mirë. Ishim dhe shumë afër barazimit, por ajo goditja, dalja me karton të kuq e Cankës në minutën e 80-të në momentet më vendimtare të lojës na prishi shumë punë. Jo vetëm për atë ndeshje, por na prish punë edhe për ndeshjen pasardhëse. Si Canka dhe Ruço do të na mungojnë pas kartonëve të kuq.

Këtë javë luani me Flamurtarin, si e prisni këtë ndeshje?

Nga dje filluam punën. Kemi folur shumë, kemi punuar shumë me të gjithë sepse nuk është një situatë e lehtë. Jemi vetëm në javët e para të kampionatit. Janë luajtur vetëm katër javë. Ekipet aty-aty janë. Vendi i parë është tetë pikë, ne jemi katër pikë. Kështu që, të gjitha ekipet janë të ngjeshura me pikë.

Ne kemi thënë që në fillim se ky kampionat do të jetë një nga më të fortit. I tillë po rezulton edhe në fushën e lojës. Na pret shumë punë përpara. Futbolli ta jep këtë mundësi, që mund të rikuperosh direkt që në ndeshjen pasardhëse. Me Flamurtarin në shtëpi, nëse ne arrijmë t’i bëjmë gjërat si duhet dhe atë që themi ta zbatojmë me rigorozitet, atëherë ne, jo vetëm Flamurtari, por asnjë ekip nuk është se na duket i pakalueshëm.

Si mund të fitohet kjo ndeshje?

Jam i bindur që me zbatimin e detyrave do të arrijmë atje ku ne duam, te fitorja. Në këtë fillim do të donim më tepër pikë dhe jo të na ndodhte kjo që na ndodhi. Tani janë edhe faktorë të tjerë, të cilët ndikojnë në vazhdimësinë e një ndeshjeje. Ne luajtëm në mesjavë për Kupë, kurse Apolonia luajti dy ditë më parë. Edhe këto anomalitë përpara ndeshjes bëjnë të vetën.

Cilat anomali?

Në fillim na u tha që do të luajmë tek aneksi dhe në minutën e fundit ndryshon fusha. Këto gjëra nuk na përkasin ne, por të gjithë faktorët e futbollit, duhet të jenë më të saktë dhe më të qartë për këto gjëra në mënyrë që të mos gjendemi në situata të papërgatitura përpara ndeshjes. Ne do të vazhdojmë, gjithçka kalohet me punë. Kemi punuar shumë mirë. Kemi kaluar ndeshjen e parë, atë të Kupës. Ndonjëherë është më mirë kur gjërat ndodhin në fillim, sepse të japin mundësinë e rikuperimit.

ALBAN ALUSHI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"