Ndeshjet e trukuara, Apolonia jep recetën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2016 | 15:11

Ndeshjet e trukuara, Apolonia jep recetën

Drejtori teknik i Apolonisë, Fjodor Xhafa, vendos të flasë në lidhje me akuzat e ditëve të fundit në kampionatin e Kategorisë së Parë. apolonia luftetariKlubi që përfaqëson ka qenë i përfshirë në këto akuza ku trajneri i Butrintit dhe administratori i Sopotit kanë deklaruar se Apolonia toleroi në sfidën ndaj Dinamos. Në një prononcim për gazetën, Xhafa hedh poshtë akuzat, por nuk mohon faktin që tolerime dhe aleanca mund të ketë.

Xhafa

“Është budallallëk dhe vetëm një tymnajë me akuza të pabaza ajo çfarë ka deklaruar trajneri i Butrintit. Pa dyshim që ky teknik s’e ka parë ndeshjen dhe flet nga kafeneja se po ta kishte parë do të fliste ndryshe.

Megjithatë, në akuzën e tij nuk ka asgjë të vërtetë. Është jashtë çdo logjike si mund t’ia lësh ndeshjen një ekipi që ka renditje luksi në klasifikim kur neve na duheshin me patjetër ato pikë për të vazhduar luftën për arritjen e objektivit? Apolonia luan futboll të pastër nga fillimi deri në fund të kampionatit, edhe pse në ndonjë rast është e detyruar të vuajë pasojat e kësaj ndershmërie”, shprehet fillimisht Xhafa. I pyetur në lidhje me akuzat e ditëve të fundit që kanë shpërthyer në Grupin B, drejtori teknik përgjigjet:

“‘Ku ka zë nuk është pa gjë’, thotë populli. Mundet të ketë pazare apo aleanca të pista, por kur nuk ke fakte, s’ke pse flet kot në ajër dhe të akuzosh këtë apo atë ekip. Ka struktura dhe persona të tjerë që duhet t’i faktojnë apo jo akuzat e ngritura dhe të marrin masat e duhura. Kur të gjithë të luajnë një garë të pastër, pa tolerime e shitblerje ndeshjesh mund të dilet nga kjo situatë. Kur dështimin ta gjejnë brenda vetes dhe jo duke u justifikuar duke hedhur akuza pa pasur fakte konkrete”, tha Xhafa. Drejtori teknik e mbyll duke folur në lidhje me shanset që ka tashmë Apolonia për vendin e parë pas hapit fals me Dinamon. “Objektivi ynë është vështirësuar pas humbjes me Dinamon, por shpresa vdes e fundit. Kështu Apolonia nuk do të dorëzohet, por do të luftojë deri në fund duke luajtur një futboll të pastër dhe për të marrë atë që do të prodhojë në fushën e lojës”, përfundon Xhafa.

Përgatiti: MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"