Ndeshjet e para të janarit, Kukësi “harron” ta nisë mbarë/ Verilindorët nuk dinë të fitojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 12, 2023 | 0:09

Ndeshjet e para të janarit, Kukësi “harron” ta nisë mbarë/ Verilindorët nuk dinë të fitojnë

Ndeshja e parë konsiderohet gjithnjë e rëndësishme, edhe kur bëhet fjalë për në janar. Të tillë e konsideron edhe Kukësi, duke parë edhe situatën në të cilën ndodhet aktualisht, ku vetëm fitorja i bën punë për ta rifutur sërish në “shina”. Sfida e parë e verilindorëve pas pauzës së fundvitit, është pikërisht ajo me Bylisin.

Hallaci Kukesi

Me këtë kundërshtar blutë janë përballur vetëm një herë në ndeshjen e parë të vitit, pikërisht në sezonin 2015-2016, kur kuksianët kanë fituar bindshëm në shifrat e pastra 3-0. Megjithatë, këtë herë ekipi i Hallaçit do të jetë mysafir në Ballsh dhe situata nuk është më ajo e para disa viteve.

VËZHGIMI – “Panorama Sport” u ka bërë një vëzhgim ndeshjeve të para të vitit që Kukësi ka zhvilluar në elitë dhe në tërësi bilanci është pozitiv. Nga 10 takime, verilindorët kanë fituar pesë, barazuar tri dhe humbur dy. Pikërisht te dy disfatat e vetme në ndeshjen e parë të vitit është problemi më i madh. Thuhet kështu, pasi ato janë koleksionuar në dy vitet paraardhëse, sezone që verilindorët kanë pasur luhatje, siç po ndodh aktualisht.

Vitin e kaluar Kukësi mundej në shtëpi nga Dinamo, ndërsa para dy vitesh mundej në transfertën e Laçit. Për ta bërë akoma edhe më të vështirë situatën e sezoneve të fundit janë dy barazimet e njëpasnjëshme, me Luftëtarin dhe Laçin. Me pak fjalë, pavarësisht bilancit pozitiv në tërësi të ndeshjes së parë të vitit, Kukësi nuk ka koleksionuar asnjë fitore në katër sezonet e fundit, me një bilanc prej dy humbjesh dhe dy barazimesh.

Fitorja e fundit e Kukësit në ndeshjen e parë të vitit i përket sezonit 2017-2018, në të cilin verilindorët fituan me shifrat 3-1 në transfertë. Shkodranët janë “preja” e tyre e preferuar në fakt, pasi janë përballur tri herë dhe kanë po aq fitore, për më tepër si mysafirë në Shkodër.

Me pak fjalë, Kukësi vjen në përballjen e parë me Bylisin pas një ngërçi në katër vitet e para, ndaj do të mundohet ta thyejë këtë ters dhe t’i rikthehet serisë së rezultateve të para katër viteve, që ka qenë vërtet mbresëlënëse.

KUKESI7

SITUATA – Kukësi është duke vijuar normalisht përgatitjet në javën anti-Bylis, me dyshen Hallaçi-Shameti, që synojnë të rikthejnë rezultatet e munguara në skuadër. Për fat të mirë nuk ka mungesa në këtë përballje, por problematike mbeten largimet e shumta, të cilat kanë dobësuar ndjeshëm ekipin. Nga ana tjetër, po mungojnë edhe afrimet në merkato, edhe pse në klub kanë pohuar se do të zëvendësohen me të tjerë lojtarë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"