“Ndeshje speciale, ia dalim me tifozët”, Hallaçi s’i zë besë Erzenit: Duhet të tregohemi të zgjuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2023 | 9:35

“Ndeshje speciale, ia dalim me tifozët”, Hallaçi s’i zë besë Erzenit: Duhet të tregohemi të zgjuar

Kukësi mbylli për gatitjet në Prizren, me klubin që ka dashur të mbajë sa më të qetë skuadrën para sfidës ndaj Erzenit. Ka shumë dilema sa u përket titullarëve, duke nisur nga portieri Tafas dhe mbrojtësi Lamçe, që vijnë nga dëmtimi në ndeshjen me Bylisin, por gjithashtu Rashiti, Ovusu dhe Momoh, që kanë shfaqur probleme më herët. Sakaq, mungesa e sigurt është ajo e mbrojtësit brazilian, Ebert, për arsye kartonësh.

Hallaci Kukesi

Një situatë që ka vënë në siklet të madh trajnerin Rraman Hallaçi, i cili do të presë deri në minutat e fundit për një pjesë të titullarëve. Në intervistën e dhënë dje për “Panorama Sport”, trajneri shprehur besimin te forca e skuadrës që drejton. Ai shpreson te një mbështetje e madhe e tifozëve kuksianë në ndeshjen që nis në 16:00.

 Hallaçi, është kjo ndeshja më e rëndësishme e sezonit për Kukësin?

Një fitore sot na jep atë që ne meritojmë për punën që kemi bërë gjatë kësaj periudhe. Në këtë sfidë duhet të djersijmë shumë. Është ndeshje speciale dhe do ta luajmë sigurisht me kujdes. Lojtarët e kanë eksperiencën për ta luajtur me mend në kokë këtë takim.

A është në gjendje skuadra ta mbajë presionin apo është mësuar tashmë?

Skuadra ka shumë ndeshje që e ka mbajtur presionin dhe janë treguar shumë të fortë dhe të duruar. Kam një ekip që nuk dorëzohet kurrë dhe këtë e tregoi në ndeshjen me Bylisin. Ka domethënie shumë të madhe të shënosh gol në minutën e dhjetë shtesë, sepse tregon karakterin e fortë të skuadrës.

Mund të keni disa mungesa, sa do të ndikojë kjo?

Çdo javë kemi pasur mungesa. E rëndësishme është që lojtarët që presin me padurim minutat janë shumë profesionistë, si për shembull Ilieski, Halimi apo të tjerët që kanë qenë korrektë në stërvitje. Në skuadrën tonë ka lojtarë që kanë shumë vlera njerëzore dhe për këtë jam krenar që bëj pjesë në këtë skuadër.

Kundërshtari ka shumë ndeshje që nuk fiton. E shihni si avantazh këtë?

Nuk e shoh fare në këtë mënyrë se çfarë ka bërë Erzeni në javët e fundit. Unë e vlerësoj shumë skuadrën shijakase, sepse kanë lojtarë me shumë kualitet dhe kanë bërë mirë gjatë gjithë sezonit. Më vjen keq për largimin e Xhevahir Kapllanit, pasi bëri një punë shumë të mirë.

Si ndeshja që vlen sezonin, prisni atmosferë të ngrohtë në stadium?

Sigurisht që po, tifozët do të jenë në mbështetje të skuadrës me patjetër. Kam besim se do të jenë të shumtë për t’i dhënë forcë skuadrës së zemrës. I falënderoj në emër të skuadrës tifozët dhe sidomos ata që janë specialë, grupin “Armata e Veriut”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"