“Ndeshje radhe, duam të marrin tri pikët”, portieri i Kukësit: Blerjet e goditura, me Dinamon në ditë të keqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2022 | 12:42

“Ndeshje radhe, duam të marrin tri pikët”, portieri i Kukësit: Blerjet e goditura, me Dinamon në ditë të keqe

Angelo Tafas ka qenë një nga pikat kyçe të ekipit të Kukësit këtë sezon dhe Longo e ka preferuar tek të gjitha ndeshjes si titullar. Në një prononcim për “Panorama Sport” portieri shprehet i bindur se Kukësi në fund do të arrijë objektivat dhe së afrimet e bëra e kanë forcuar skuadrën, pasi bëhet fjalë për lojtarë cilësorë. Fillimisht humbjen ndaj Dinamos ai e konsideron si një ditë të keqe, ndërkohë që ajo nuk i kompromenton pozitat e tyre në klasifikim, sepse Tirana u shkëput me vetëm një pikë më shumë.

cara tafas

“Nuk e filluam ashtu siç duhet, pasi kemi pritshmëri të mëdha nga ekipi, por jemi një skuadër me karakter. Ka qenë një ditë e keqe, ku e kemi humbur ndeshjen në minutë të fundit për gabimet tona, pa na rrezikuar kundërshtari. Nuk mund të them që Tirana është shkëputur, sepse nga 5 ka shkuar në 6 pikë.

Ne jemi të fokusuar të marrim maksimumin në çdo ndeshje të radhës dhe të gjithë bashkë do t’ia arrijmë qëllimit”, u shpreh fillimisht portieri i Kukësit. Në lidhje me afrimet e bëra ai shprehu vlerësimin e tij, për më tepër që janë futbollistë që e njohin mirë kampionatin shqiptar.

“Si trajneri edhe kapiteni ynë, Taipi, e kanë shprehur edhe më herët mikpritjen e tyre, pasi normalisht forcohet edhe ekipi. Ata janë lojtarë me eksperiencë që e njohin mirë kampionatin shqiptar.

Tani jemi më të kompletuar dhe e kemi mendjen te kampionati. Objektivat janë madhorë, por nuk mund të flasim se deri ku mund të shkojmë, sepse çdo gjë e marrim me radhë”, vijoi më tej portieri i skuadrës së Kukësit. Sa i përket ndeshjes së radhës me Skënderbeun, ai e vlerëson, por normalisht kërkojnë maksimumin si në çdo ndeshje.

“Ne e shohim si një ndeshje radhe, të cilën normalisht e vlerësojmë. Por, si gjithnjë do të hyjmë në fushë për të dhënë më të mirën tonë dhe të sigurojmë tri pikët”, mbylli prononcimin e tij për gazetën portieri i verilindorëve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"