Ndeshje kontrolli brenda grupit, “Bobi” gjen formacionin. Nuk ka vend për të huajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 12, 2017 | 10:10

Ndeshje kontrolli brenda grupit, “Bobi” gjen formacionin. Nuk ka vend për të huajt

Shumë skuadra kanë preferuar që ndër prerjen e kampionatit ta shfrytëzojnë duke luajtur ndeshje miqësore, në mënyrë që të mbajnë lojtarët të karikuar para sfidës së javës së 10-të, takime të cilat do të luhen më 15 dhe 16 nëntor. Partizani, i cili nga e marta ka nisur punën nën drejtimin e Sulejman Starovës, që zëvendësoi Mark Iulianon për rezultate të dobëta, fundjavën e ka shfrytëzuar për të zhvilluar një ndeshje brenda grupit.

partizani1

Ky test brenda familjes i ka shërbyer stafit për t’i pasur më të qarta idetë për përcaktimin e formacionit që do të luajë më 16 nëntor në transfertën e Laçit. Ashtu siç ka pasqyruar ditë me radhë “Panorama Sport”, trajneri Starova pritet të bëjë disa ndryshime në rreshtimin e ekipit, duke dalë nga skema e përdoruar në fazën e parë të kampionatit nga trajneri Iuliano.

NDESHJA E KONTROLLIT

Testi brenda familjes u zhvillua nën reshjet e shiut, por kjo nuk e pengoi trajnerin Starova dhe ndihmësin e tij Dalipi që të jenë kërkues te lojtarët. Në formacionin e parë, që pritet të jetë edhe në ndeshjen ndaj Laçit, mbrojtja përbëhej nga Ibrahimi në të djathtë, Malota dhe Atanda në qendër dhe Kalari në të majtë. Batha e Vila përbënin dyshen para mbrojtjes dhe para tyre vepronte një treshe, që ishte gjithnjë në shërbim të pikës referuese të sulmit, Jurgen Bardhi.

Treshja e ofensive përbëhej nga Progni në të djathtë, Asani në qendër pas sulmuesit kryesor dhe Trashi në të majtë. Ndërsa në skuadrën tjetër mbizotëronin kryesisht prurjet e merkatos së verës të afruar nga stafi italian, por që tani kanë humbur terren. Mbrojtja përbëhej nga Selvaxhio në të djathtë, Krasniqi dhe Uarlej në qendër dhe Kotobelli në të majtë.

Më pas vinte La Kamera me Sulejmanin, ndërsa treshja pas sulmuesit kryesor përbëhej nga Fili dhe Xhixhiua në krahë dhe Adorjan në qendër. Në majë të sulmit ishte Sukaj, i cili vjen nga dëmtimi dhe nuk është ende në 100% e tij. Që në minutën e 4-t ekipi i parë shënon me anë të Prognit, por skuadra e dytë i kundërpërgjigjet shpejt me Sukajn që barazon në minutën e 11-të.

Takimi u karakterizua nga një luftë e fortë sportive, për vetë faktin se ardhja e trajnerit të ri ka bërë që konkurrenca të ndizet sërish, pasi disa lojtarë i kanë humbur pozitat që kishin me Iulianon. Përpos rasteve të krijuara nga të dyja ekipet, pjesa e parë, që zgjati 40 minuta, u mbyll në barazim 1-1.

Me fillimin e pjesës së dytë, trajneri Starova bëri disa zëvendësime tek ekipi i dytë, ku La Kamera me probleme, Xhixhiua dhe Sulejmani u lanë vendin Shahinasit, Herrerës dhe Basrakut. Ndërsa disa minuta më pas, Fili me Asanin ndërruan vendet në ekipet respektive. Takimi u gjykua nga zv.trajneri Dalipi, ndërsa Starova gjatë gjithë kohës qëndroi në mes të fush- ës duke udhëzuar, si dhe kritikuar lojtarët për moszbatimin e detyrave.

Në disa raste “Bobi” e ndërpreu ndeshjen duke i udhëzuar lojtarët që ta bënin ndryshe veprimin. Pjesa e fundit e testit u kthye në perfeksionim skemash, duke dalë nga ritmi i një ndeshjeje të vërtetë. Ky test tregoi se stafi ka ende shumë punë për të bërë, kryesisht në fazën sulmuese.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"