EKSKLUZIVE/ “Ndeshje e çuditshme”, heroi Vila: Hëngrëm makarona që në orën 9…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2019 | 17:58

EKSKLUZIVE/ “Ndeshje e çuditshme”, heroi Vila: Hëngrëm makarona që në orën 9…

Teuta rigjeti golat, por edhe Emiljano Vilën. Mesfushori ndëshkoi dy herë Flamurtarin dhe i dha rrugë fitores. Një dopietë që i mungonte prej 18 shkurtit të 2018-ës dhe që ka mjaftuar për të thyer makthin e transfertave që zgjaste prej 7 muajsh. Durrsaku është shumë i lumtur për këtë trepikësh, që i jep shpresa edhe për titullin. Ai paralajmëron se skuadra e tij do të luftojë deri në fund për vendin e parë dhe shanset i kanë, derisa janë vetëm 3 pikë larg kreut.emiliano vila

Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, 31-vjeçari rrëfen ndjesinë e çuditshme që shkaktoi ndeshja e luajtur në dy ditë, aq sa me humor thotë që kurrë s’e kishte menduar që do të hante makarona në orën 9 të mëngjesit. Mbrojtësit e majtë që i kanë hapur më shumë punë gjatë gjithë karrierës janë Arapi dhe Trashi, ndërsa Lorencon (djalin e xhaxhait) e këshillon që të ulë kokën që të bëhet më i mirë se ai.

Emiljano, rigjetët dopietën pas afro dy vitesh, për të fundit herë i shënonit dy gola Kamzës (më 18 shkurt 2018) kur luanit me Skënderbeun. Mund të themi që u kthyet?

Besoj se po. Ishte një ngërç psikologjik dhe them që u çlirova. Kam krijuar edhe raste, por goli nuk më ka dashur. Kjo dopietë më hapi rrugën për vazhdimësinë, ishte momenti i duhur. Nuk do ta mbyll me kaq… ta dini që tani do nisin golat e mi.

Veç Vilës, gjeti golat edhe Teuta. Si erdhi zhbllokimi i sulmit?

Ngërçi ka qenë i gjithë ekipit në fakt, jo vetëm imi. Kemi krijuar realisht shumë, por nuk kishim qartësinë e duhur sa shkonim para portës. Më në fund u korrigjua edhe kjo gjë. Në fakt, nisi që ndaj Partizanit, por tani mund ta them që jemi më të lirshëm.emiliano vila

Mos është “dora” e Martinit që solli ndryshimin?

Nuk ka lidhje vetëm Martini, pasi edhe Shkëmbi ka bërë një punë shumë të mirë. Ky ekip është ndërtuar nga Bledi, ai ka bëri merkaton dhe zhvilloi fazën përgatitore. Por edhe Edi ka futur frymën e duhur. Nuk hedh poshtë dot asnjërin. Do thosha që thjesht kishte ardhur koha që të gjenim veten. Tashmë jemi konsoliduar.

Nga tre gola i keni bërë vetëm Luftëtarit dhe Flamurtarit, rastësi që i shënoni vetëm ekipeve të vendeve të fundit?

Nuk ka të bëjë. Flamurtari është ai ekip që i mori barazim Flamurtarit dhe Tiranës. E dinim që do të na hapte shumë probleme. Për fat, na doli goli shpejt dhe shkuan gjërat ashtu si donim ne. Ishte një fitore e merituar nga ana jonë dhe kënaqemi me tri pikët.

Si ishte të luanit të njëjtën ndeshje në dy ditë?

E çuditshme. U futëm të dielën për ta luajtur, por u kthyem mbrapsht prej kushteve të motit. Pak e lodhshme psikologjikisht, duke e ditur që do e luanim të nesërmen prapë. Do çoheshim në mëngjes dhe do të hanim drekën në 9 të mëngjesit. Nuk hahen makaronat që në 9 (qesh). Prishet pak plani dhe regjimi. Por më mirë që ndodhi kështu, pasi morëm tri pikët dhe jemi të tretët në tabelë.

Morët fitoren e parë në transfertë pas 7 muajsh, u thye makthi…

E vërtetë. Na vjen keq, pasi kemi bërë futboll shumë të mirë jashtë fushe dhe kur vinte puna nuk merrnim dot fitoret në transfertë. E thyem edhe këtë makth dhe mendoj se është një shkëndijë dhe një motiv për ndeshjet në vazhdim. Por le të shijojmë pushimet fillimisht.bregu vila

Meqenëse prekët pushimet, si është plani?

Kemi dy ditë pushim, por me 26 do të rikthehemi në stërvitje. Për më shumë, do presim klubin. Ata e dinë.

Do të guxoni për titullin, pasi 3 pikë larg Kukësit jeni?

Me vendin e parë që është vetëm tri pikë larg, pse të mos shpresojmë?! Ekipin e kemi të mirë dhe jemi matur me forcën e duhur me çdo kundërshtar. Kemi rivalizuar si të barabartë. Pse jo?!

 Mes 9 ekipeve që jeni përballur këtë sezon, cili është ekipi më i fortë?

Dihen ato, janë Kukësi, Partizani dhe Tirana.

Me cilin keni vuajtur më shumë?

Nuk kemi vuajtur në fakt. Edhe me Kukësin që u rrahëm me 4 gola, besoj se kemi luajtur futboll shumë të mirë, madje më të mirë se Kukësi. Nuk i druhemi asnjë ekipi, që të themi “obobo ky ekip na vuri përfund”. S’ka ndodhur kjo. Ky kampionat i tillë është. Kemi edhe Bylisin e vendit të dytë, një skuadër që ka rivalizuar denjësisht. Të gjitha janë aty-aty.

Mbani mend ndonjë kampionat më të çuditshëm se ky, me kaq ngjeshje dhe diferenca të vogla?

Është një kampionat shumë i veçantë. Nëse në sezonet e tjera dihej pak a shumë cili do lunte për titull, tani s’ke parashikime. Mund të të vijë Flamurtari dhe të mund, Bylisi gjithashtu. Duke parë këtë ngjeshje dhe kaq pak diferenca, na krijohet mundësia që të tentojmë titullin.

Cila ka qenë ndeshja më speciale e Vilës për 2019-ën?

Ajo me Partizanin, që e fituam 1-0. Te të kuqtë unë kam kaluar vite shumë të mira në planin personal, ndaj ishte e veçantë.

Po ajo ndeshje që ju ka mbetur pishman?

Ajo në Gjirokastër ndoshta. Dukej e lehtë me Luftëtarin, duhet ta kishim fituar. Nuk dolën gjërat si i kishim menduar.

Cili është lojtari që gjithnjë ju fut në siklet kur e keni përballë?

Arapi ka qenë më i vështiri. Ai luante te Skënderbeu dhe unë te Partizani. Do veçoja edhe Trashin, një nga mbrojtësit e majtë më të mirë. Gëzohem për sukseset e tij, pasi e kam edhe shok. Kushdo që luan përballë tij, e ka kaq punën.Teuta Lorenco Vila

Të ndalemi pak te Lorenco, si është të kesh djalin e xhaxhait në ekip?

Gjë e bukur. Jemi të dy te Teuta dhe të dy po luajmë, është gjë e veçantë.

Është më i mirë se Emiljano?

Ka kohë që të bëhet më i mirë se unë. Ka shumë cilësi, por duhet të ulë kokën dhe të punojë. Nëse vepron kështu, do bëhet më i mirë se unë. Atij do ia lë stafetën tani (qesh).

Kur vjen fundi i vitit të gjithë mendojnë për shpërblimin. A do merrni?

Besoj se po (qesh). Do bëhet darka klasike e fundvitit dhe aty presidenca mendoj se do të ndajë edhe shpërblimet. Nuk na kanë lënë gjë mangët këtë vit drejtuesit, ndaj edhe festat do të vijnë të bollshme.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"