Ndeshje dramatike dhe tension në Kategorinë e Dytë, policia shmang degradimin e situatës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2020 | 21:12

Ndeshje dramatike dhe tension në Kategorinë e Dytë, policia shmang degradimin e situatës

Ndeshje dramatike në stadiumin “Durim Qypi”! Përmeti fiton në frymën e fundit ndaj Naftëtarit dhe portieri Forald Hoxha bëhet hero, pasi pret një penallti dhe më pas skuadra e trajnerit Hajredini shënon me Vrapin. Ka qenë një përballje shumë e luftuar, ku nuk ka munguar as tensioni në fund.

Permeti-Naftetari

Kuçovarët vinin në Përmet si kryesues, por edhe vendësit ishin me të njëjtat pikë dhe takimi mori një rëndësi të madhe. Skuadrat patën disa raste për gol, por pa mundur të gjenin rrjetën deri pa shkuar minuta e 92-të. Miqtë nga Kuçova fituan një penallti, që u kontestua gjatë nga përmetarët. Megjithatë, gjyqtari Abazaj ka qenë i vendosur dhe ka akorduar 11-metërshin.

Për Naftëtarin ekzekutimin e penalltisë e mori përsipër i aktivizuar në pjesën e dytë Pepa, por goditja e tij u prit nga portieri Hoxha, i cili mbajti në lojë Përmetin. Në dy minutat e mbetura vendësit morën zemër, teksa Vrapi shënoi golin e fitores, pasi shfrytëzoi mirë një pasim të gjatë të Meçajt.

Fundi i takimit shoqërohet nga përplasje verbale mes drejtuesve mik dhe personave që qëndronin në tribunën VIP. Policia ka qenë në gatishmëri dhe ka shmangur degradimin e situatës. Menjëherë forcat e rendit ndërhynë dhe mori masa që skuadra mike të largohet e qetë. Kjo fitore e mban Përmetin në krye të grupit B.

ROLAND SULI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"