Ndeshja ndaj Vorës, flet Nevil Dede: Hapat falsë për Erzenin, të ndaluar!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2021 | 11:26

Ndeshja ndaj Vorës, flet Nevil Dede: Hapat falsë për Erzenin, të ndaluar!

Erzeni nuk ka në plan që të ndalet. Pret Vorën në “Tofik Jashari” dhe qëllimi është më shumë se i qartë, të sigurojnë trepikëshin e radhës.

nevil dede 1

Skuadra ka mbyllur përgatitjet dhe është më shumë se gati për të luajtur ndeshjen e parafundit për fazën e parë. Nevil Dede është i kënaqur nga angazhimi i lojtarëve në stërvitje dhe kjo i jep shpresë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, nuk ngurron që të japë edhe një mesazh për të tijtë.

“Kemi pasur pak ditë kohë për ta përgatitur këtë ndeshje, por futbollistët më kanë kënaqur. Kanë punuar me angazhim e disiplinë të plotë dhe janë gati për javën e 14-të. Kemi një moto në ekip ‘vlerësim për çdo kundërshtar’. Përtej renditjes, në fund të fundit që të gjitha luajnë për pikë.

Me këtë dua të them që edhe Vora vjen me synimet e veta në Shijak. Duhet të jemi të kujdesshëm nga minuta e parë e deri në finish. Pozitiv është fakti se nuk kemi dëmtime të rënda. Ka shfaqur një shqetësim të vogël R.Troplini, por me siguri do të rikuperohet. Vijmë në këtë takim pas fitores së merituar me Besën.

Nuk duam që të ndalemi, ndaj edhe me Vorën presim maksimumin e pikëve. E kemi theksuar dhe dëshmuar me rezultate në fushë që kërkojmë Kategorinë Superiore.

Realizmi i këtij misioni nuk na lejon që të bëjmë hapa të gabuar, pasi diferencat janë të ngushta. Jemi në rrugën e duhur ama, por vigjilenca nuk duhet ulur. Me tifozët në krah, do ecim të sigurt drejt elitës”, përfundon tekniku tiranas.

FIQIRI SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"