Ndeshja ndaj Vorës, flet Kanarsa: Apolonia, e motivuar pas suksesit në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2021 | 11:43

Ndeshja ndaj Vorës, flet Kanarsa: Apolonia, e motivuar pas suksesit në derbi

Apolonia e mbyll pjesën e parë të kampionatit në transfertë ndaj Vorës dhe vetëm trepikëshi u bën punë fierakëve në këtë sfidë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri Juri Kanarsa e ka cilësuar transfertën e fundit me Vorën si një ndeshje shumë të rëndësishme për ecurinë në kampionat. Ai beson se ekipi do t’ia dalë në këtë takim.

Juriy KANARSA

Fituat 3-0 me Lushnjën. Çfarë ndryshoi Apolonia që funksionoi?

Mund të them me siguri që djemtë ishin të vendosur mirë në fushë dhe u koordinuan me njëri-tjetrin. Sulmi shënoi tri herë, por mund të shënonim edhe më shumë, sepse i kishim rastet. Reaguam bindshëm pas humbjes me Burrelin dhe skuadra dha maksimumin e vet në derbi.

E mbyllni fazën në transfertë me Vorën. Çfarë prisni nga ekipi sot?

Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe gjatë këtyre ditëve e kemi përgatitur me kujdes. Lojtarët janë në gjendje të mirë fizike dhe të motivuar pas fitores me Lushnjën. Porosia që u kam dhënë në stërvitje është që të jenë shumë kërkues që në minutat e para, pasi na nevojiten pikët e plota në këtë transfertë.

I druheni shfaqjes së problemeve që Apolonia ka pasur jashtë fushe?

Transfertat janë mjaft delikate për ne, sepse luajmë nën presionin e kundërshtarëve. E nisim takimin shumë keq dhe asnjëherë nuk reagojmë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Në stërvitjen e fundit para Vorës i kam udhëzuar me kujdes lojtarët për rolet e tyre në fushë dhe pres një reagim ndryshe nga ata. Synojmë të mos dalim pa pikë nga kjo transfertë dhe besoj shumë që mund të marrim një rezultat pozitiv.

Besoni ende tek objektivi fillestar i Apolonisë?

Dua të theksoj se ne jemi në gjendje të luajmë ndaj çdo kundërshtari dhe këtë e kemi treguar rregullisht nga ndeshja në ndeshje. Disa gabime në javët e shkuara kanë ndikuar shumë në pozicionin tonë në renditje, nuk kemi marrë atë që kemi dëshiruar. Beteja jonë vazhdon dhe të mos harrojmë që kemi një fazë të dytë për të zhvilluar.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"