Ndeshja ndaj Tiranës, Alen Sherri: Do ta “blindoj” portën e Egnatias!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2022 | 9:26

Ndeshja ndaj Tiranës, Alen Sherri: Do ta “blindoj” portën e Egnatias!

Alen Sherri, portieri i mirënjohur shkodran, është bërë pjesë e Egnatias së këtij sezoni që sa nisi stërvitja e parë e kësaj vere. U votëbesua edhe prej konsultave të drejtuesve të stafit që e kanë konfirmuar në postin me kyç të formacionit, atë të ruajtjes së katërkëndorit. Teksa ka folur dje posaçërisht për “Panorama Sport”, Alen Sherri një gjë e thotë hapur. “Nuk më tremb konkurrenca”.

ALEN SHERRI

Alen po ju drejtohem nga emri, se nga mbiemri duket sikur bëni “sherr”…

Portierët kurrë nuk bëjnë sherr dhe po u them me sinqeritet se ata mendoj janë njerëzit më paqësorë. Ngaqë ata e shohin dhe përjetojnë ndeshjen më mirë se kushdo tjetër në fushën e lojës.

Vera 2022 ju gjeti tek Egnatia. Cila arsye ju shtyu?

E thjeshtë. Çështja e aktivizimit sistematik. Te Laçi nuk ankohem. Kam qenë mirë, por pata pak minuta në dispozicion që ta tregoja veten.

Edhe në miqësoret e kësaj vere dhe në sfidën e parë me Partizanin ishit të votëbesuar ju në portë.

Këtë çështje e ka në dorë stafi drejtues, por ajo që unë e pohoj është se nuk i trembem kurrë konkurrencës. Kam punuar shumë këtë verë dhe falënderoj edhe trajnerin e portierëve që punon me mua, z.Taulant Guma, që ka sjellë një frymë të shëndetshme pune, angazhimi profesional. Ai (Taulanti) është nga ata që përpara se të kritikojë ndonjë tjetër ai ndalon pak dhe thotë: “Kjo nuk më pëlqen. Ta rregullojmë tani në stërvitje këtë defekt”. Papritur kështu të vijë dita e ndeshjes.

Me Partizanin sa nuk e pritët 11-metërshin e Hotit. Ja kuptuat krahun, por…

Më besoni ia bëra në maksimum “hyzmetin” asaj penalltie. Po dhe goli i Skukës ishte i veçantë në llojin e vet dhe tmerrësisht vrasës për cilindo portier. Më vjen keq që Egnatia nuk mundi të dilte me pikë nga ndeshja e parë.

Po afron sfida me Tiranën…

Portieri vendoset në mes të shtyllave të portës për ta “blinduar” katërkëndorin. Kjo dhe vetëm kjo ide më tundon momentalisht. Asgjë tjetër. Sigurisht para një sfide si kjo me Tiranën, tek mua dhe kushdo tjetër që luan tek Egnatia as ka pasur e as do të ketë “frikë apo rrëqethje”. Përkundrazi, mobilizim, motivim. Kërkesë maksimale për të dhënë e marrë më të mirën e mundshme nga çdo takim. Pa u nisur nga emrat e çdolloj kundërshtari. Uroj që të kemi edhe fatin në anën tonë te kjo sfidë, që do të jetë e vështirë, por jo e pamundur për të ndalur ambicien tonë në kërkim të një rezultati sa më pozitiv.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"