Ndeshja ndaj Sitit, Ramos: Momenti që burrat të dalin në pah dhe fëmijët të qëndrojnë në krah
Në prag të sfidës me Mançester Sitin në Champions, Serxho Ramos u përgjigjet kritikëve të skuadrës së Realit të Madridit, duke e bërë të qartë se askush nuk fliste për mungesën e golave gjatë sezonit, derisa erdhi ky moment kur ekipi humbi kreun (Barça renditet në krye me dy pikë më shumë). Mbrojtja solide është nxjerrë gjithnjë në pah këtë sezon, ndërsa sulmi është varur shumë nga forma e Karim Benzemasë.
“Ne kemi qenë pranë kreut gjatë të gjitha sezoneve dhe askush nuk ka folur për mungesë golash, – deklaroi kapiteni i Realit në konferencën për shtyp. – Të flasësh për mungesë golash tani është të shfrytëzosh situatën në të cilën ndodhemi. Ne krijojmë shumë raste dhe shumë gjëra i bëjmë mirë. Nuk e di nëse do të humbasim raste ndaj Sitit, shpresoj që jo”. Në mungesë të Eden Hazardit të dëmtuar, Zinedin Zidan pritet t’i besojë Garet Bejlit, pavarësisht kritikave të vazhdueshme nga tifozët madrilenë. “Si kapiten nuk është detyra ime që të gjykoj se çfarë bëjnë futbollistët në jetën e tyre private”, tha Ramos duke mos dashur t’i hedhë benzinë zjarrit.
“Ne të gjithë e dimë skuadrën që përfaqësojmë. Dëmtimi i Hazardit është një lajm i keq, por kur trajneri të zgjedhë një lojtar për të luajtur, atëherë ai duhet të jetë i përgatitur”. Konkurrenca për formacionin është pozitive dhe Zidan ka pasur problemin e përzgjedhjes së lojtarëve që do të luajnë kur të gjithë i ka në dispozicion. Forma e fundit që po kalon skuadra ka bërë që madrilenët të rrëshqasin të dytët dhe në horizont është edhe klasikja me Barcelonën. Ishmbrojtësi i Sevijes është i qetë dhe e sheh me optimizëm, pasi skuadra reagon gjithnjë kur është nën presion: “Kur vjen momenti më i vështirë, kur një gabim kundër Sitit apo Barcelonës mund të të kushtojë trofeun, është pikërisht ky momenti kur dalin në pah burrat dhe fëmijët qëndrojë në anë. Është koha për të mos folur më jashtë fushe dhe të lëmë gjurmë atje”.
Ramos sulmoi arbitrin Alehandro Hernandez Hernandez pas humbjes me Levanten. Kapiteni pretendoi se ekipit të tij iu mohuan dy penallti në disfatën 1-0 dhe pas ndeshjes e quajti gjyqtarin arrogant dhe se tregoi mungesë respekti. “Jam i zemëruar me Hernandezin. Arbitrat ishin më të respektueshëm më parë dhe kapitenët mund të flisnin me ta. Arroganca është diçka që e ke ose nuk e ke. Unë e pyeta nëse kishte ndonjë problem personal me mua dhe nëse po, atëherë mund ta zgjidhnim”. Por ai nuk ka frikë nga një dënim i mundshëm dhe thotë se nuk ka bërë asgjë të gabuar: “Unë nuk them kurrë asgjë të pavend. Ne mund të flasim këtu. Ne mund t’i themi gjërat pa dëmtuar askënd. Unë nuk kam kaluar asnjë cak”.
/PANORAMASPORT.AL/
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"