Ndeshja ndaj Shkumbinit, skuadra e Tomorit përgatitet në… Kuçovë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 23:08

Ndeshja ndaj Shkumbinit, skuadra e Tomorit përgatitet në… Kuçovë

Përgatitjet për Shkumbinin, Tomori i nisi në fillim të javës në Berat për t’i finalizuar në qytetin fqinj të Kuçovës. E gjithë kjo për një arsye sa të thjeshtë aq dhe të njohur, që ekipi të ambientohet në një fushë me bar natyral, që i mungon prej shumë sezonesh. Drejtuesit kanë menduar të “ngushëllohen” duke u stërvitur në Kuçovë.

Tomori Dalipi

Tomori po i vuan shumë pasojat e ndërrimit të tapetit të stadiumit para 7 sezonesh, nga bar natyral në fushë sintetike. Për këtë shkak, beratasit vazhdojnë të heqin të “zitë e ullirit” për të gjetur dy modalitete stërvitjeje. Nga stërvitjet në fushë sintetike, futbollistët e Tomorit janë duke u përballur me dëmtime të vazhdueshme.

Ndërkohë që ndryshe nga sa stërviten dhe luajnë në Berat në fushë sintetike, në transferta ata luajnë në fusha me bar natyral. Kjo situatë është reflektuar edhe këtë javë, kur Tomori do të luajë në transfertën e Peqinit dhe skuadra e trajnerit Klevis Dalipi është e detyruar të përgatitet për dy ditë radhazi ndeshjen e radhës jashtë Beratit.

Ekipi po stërvitet në Kuçovë, jo për t’u fshehur syve të kundërshtarit dhe ndërtimit të një taktike konspirative, por vetëm dhe thjesht për t’u përshtatur me një fushë me bar natyral, të ngjashme si ajo ku do të luajnë në Peqin ditën e shtunë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"