Ndeshja ndaj Romës për Kupë, Sarri: E vendos Ronaldo nëse do luajë, verdhekuqtë më të rrezikshëm në transfertë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 22, 2020 | 8:33

Ndeshja ndaj Romës për Kupë, Sarri: E vendos Ronaldo nëse do luajë, verdhekuqtë më të rrezikshëm në transfertë

Pas miniarratisë në kampionat nga Interi, Juventusi i Mauricio Sarrit rikthehet të luajë në Kupën e Italisë. Sot, në “Allianz Stadium”, për çerekfinalen zbarkon Roma e Fonsekës: “Duhet të jemi të kujdesshëm sepse do të jetë një ndeshje shumë delikate, Roma paraqitet më mirë në transfertë”. Bardhezinjtë mund të rreshtojnë “tredhëmbëshin” me Duglas Kostën: “E mundshme, rëndësi ka të mbizotërojë ekuilibri në fushë sepse rivali di si të krijojë vështirësi”.

sarri

Si janë Kuadrado dhe Aleks Sandro?

Kuadrado nuk ka më temperaturë, por është stërvitur në palestër. Aleks Sandro nuk ka dëme të mëdha, por një problem muskulor për të vlerësuar. Do të bëjmë vlerësimet tona, Kuadrado mendoj se është i rikuperueshëm.

Keni dy sfida të vështira radhazi: punohet edhe me sytë nga ndeshja e fundjavës?

Janë konsiderata që mund të bëhen mbi një lojtar, jo pesë. Ndeshja e rëndësishme është ajo e radhës, nuk bëjmë vlerësime për një bllok lojtarësh.

RONALDO5

Ronaldo luan? Ndiheni “i shqetësuar” që është kaq në formë që në janar krahasuar me periudhën më të mirë që zakonisht është shkurti? 

Unë shpresoj që e mira e tij të mos ketë fund. Dua të mendoj se skuadra ka gjithmonë vend për përmirësim. Nëse do të luajë, do ta vlerësoj në stërvitjen e rifiniturës, kur ndihet mirë, luan edhe tri ndeshje në javë. Do të bisedoj me të nesër (sot) në mëngjes.

Në mesfushë si do t’i menaxhoni forcat? Rabio, sërish në fushë?

Adrienin duhet ta shikojmë si ka dalë nga sfida e fundit, meqenëse mori disa goditje të rënda. Është një lojtar me cilësi fizike të rëndësishme dhe riaftësohet shpejt, po rritet në formë. Do ta vlerësoj nëse luan me Romën, jam më optimist se dje.

danilo

Danilo po përmirësohet? Jep më shumë në të majtë? 

Është një lojtar i besueshëm dhe vështirë se gabon në ndeshje. Më jep garanci në të dy krahët, në të majtë ndoshta e ka më të vështirë në dalje.

Higuain niset titullar?

E kam parë në formë, edhe në stërvitje. Gonzalo është i fortë, i rëndësishëm për ne. Për arsye ekuilibri bëjmë zgjedhje të ndryshme në bazë të ndeshjeve, por sezoni i tij është në nivel të lartë, pavarësisht se ka ndryshuar disi karakteristikat krahasuar me të kaluarën, duke luajtur më shumë me skuadrën.

bernadeski

Emre Xhan dhe Bernardeski duket të jenë në shitje. I konsideroni të barabartë me të tjerët apo prisni të reja nga merkatoja

Nuk më rezulton dhe nuk më interesojnë zërat. Nëse klubi nuk më komunikon diçka tjetër, për mua ata janë pjesë e skuadrës ashtu si gjithë të tjerët. Nuk më rezulton të jenë të përfshirë në negociata shitjeje.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"