Ndeshja ndaj Kukësit, Pedro dhe Imeri rrisin adrenalinën: Kemi në favor rezultatin, jemi gati për një sfidë tjetër të madhe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 11:07

Ndeshja ndaj Kukësit, Pedro dhe Imeri rrisin adrenalinën: Kemi në favor rezultatin, jemi gati për një sfidë tjetër të madhe

Egnatia mund të shkruajë historinë sot në Kupën e Shqipërisë, duke u kualifikuar për herë të parë në turin çerekfinal. Fitorja 3-1 në ndeshjen e parë ndaj Kukësit i favorizon jo pak rrogozhinasit, por gjithsesi trajneri Gugash Magani dhe të besuarit e tij e kanë të qartë se i pret një ndeshje e vështirë sot në fushën asnjanëse të Vlorës. I gjithë grupi është i plotë, me përjashtim të ganezit Agbekpornu dhe lojtarit nga Hong Kongu, Remi Dujardin, të cilët vuajnë nga dëmtimet. Egnatia u zhvendos që dje në Vlorë, ku dhe kaloi natën në një prej hoteleve buzë detit, për të qenë sa më e qetë në prag të takimit.

pedro egnatia

DEKLARATAT

Për “Panorama Sport” folën në prag të kësaj ndeshjeje lojtarët që ndëshkuan Kukësin në takimin e parë, pikërisht braziliani Pedro Augusto dhe fantazisti Demir Imeri.

“Në ndeshjen e parë më mjaftuan pak minuta që të gjeja dy herë rrugën e rrjetës. Tashmë gjithçka u harrua dhe na pret një tjetër lojë e bukur dhe me nivel. Për ne ka shumë rëndësi në çdo drejtim ky takim. Shpresoj të kemi fat përsëri dhe të kualifikohemi.

Me Kukësin kemi luajtur edhe në kampionat, por unë mendoj se Egnatia i ka mundësitë që ta kalojë këtë përballje. Po kaloj një formë të mirë dhe uroj të shënoj sërish. Të bashkuar do ia arrijmë qëllimit final”, deklaroi sulmuesi kryesor i Egnatias, që bëri dopietë në portën e Kukësit. Në të njëjtën linjë me brazilianin është edhe mesfushori me tipare ofensive, Imeri. Ai thekson se skuadra ka gjithçka në dorë për të kaluar më tej në Kupë.

“I përfunduam në mënyrën më të mirë përgatitjet për këtë takim dhe mendoj se jemi gati për një ndeshje të madhe me Kukësin. Shpresojmë shumë te kualifikimi, pasi kemi në favor një rezultat shumë të mirë nga ndeshja e parë. Kjo na jep më shumë besim se mund t’ia dalim sot në Vlorë.

Drejtuesit e klubit meritojnë që dhe në Kupë të jemi sa më dinjitozë. Mundësitë i kemi, por duhet shumë kujdes. Do të më pëlqente të isha përsëri protagonist, por rëndësi ka të kualifikohemi. Egnatia është e gatshme të ruajë ecurinë pozitive”, ka përfunduar titullari i skuadrës rrogozhinase, i cili është kthyer në një prej elementëve më të rëndësishëm për trajnerin Magani.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"