Ndeshja ndaj Korabit në Kupë, ja si paraqitet gjendja në kampin e Teutës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2021 | 14:37

Ndeshja ndaj Korabit në Kupë, ja si paraqitet gjendja në kampin e Teutës

Teuta-Skënderbeu është ndeshja që mbyll edhe fazën e parë të Superiores, por siç dihet, stadiumi “Niko Dovana” është në proces pune dhe tashmë priten vetëm disa detaje të vogla para se të mbërrijë edhe bari i fushës, kështu që dhe sfida ndaj korçarëve do të luhet jashtë Durrësit. Ende nuk është vendosur stadiumi ku do të zhvillohet kjo sfidë që në program është të dielën në orën 13:45.

teuta

TEUTA-KORABI – Ndeshja do të luhet në të mërkurën në “Olympic Park” në Durrës. Teuta në 17 nëntor do të zhvillojë takimin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ku do të përballet me Korabin.

“Djemtë e detit” pretendojnë të shkojnë deri në fund të kësaj gare dhe për këtë qëllim ekipi synon fitoren në këtë duel, që sipas rregullave në këtë fazë të 1/8 do të luhet me dy ndeshje. Takimi i parë i Kupës së Shqipërisë ndërmjet Korabit dhe Teutës ka përfunduar 1-0 për bregdetarët.

STËRVITJA – “Djemtë e detit” kanë zhvilluar seancën e radhës stërvitore me sytë nga dy përballjet kësaj jave kundër Korabit dhe Skënderbeut.

Në seancën e djeshme e cila është zhvilluar në orën 12:30 në aneksin e stadiumit “Niko Dovana”, stafi teknik dhe ai mjekësor kanë testuar nga afër gjendjen fizike të lojtarëve. Daja ka punuar veçmas grupit, por shanset për të luajtur ndaj Skënderbeut janë të mëdha, ndërsa pjesa tjetër ka zhvilluar normalisht programin stërvitor.

Pas humbjes ndaj Laçit për lojtarët e Teutës nuk ka pasur pushim, futbollistët dhe stafi i saj zbritën në fushën e blertë për të vazhduar përgatitjet ku kjo javë do të jetë e ngarkuar për shkak të impenjimit edhe në Kupën e Shqipërisë. Deri në ndeshjen me Skënderbeun do të vazhdohet me një seancë në ditë.

Brenda kësaj kohe pritet që futbollistët të jenë në gjendje optimale për të qenë gati dhe të vijojnë më rezultate pozitive në Superiore. Stërvitja filloi me nxehmje të lehtë, ku përgatitësi atletik Eduart Salillari dhe zëvendëstrajneri Bledar Hodo vazhduan punën me futbollistët me disa ushtrime fizike. Skuadra stërvitjen e vazhdoi me ushtrime aerobike, lojtarët vijuan me punën me top dhe me anën taktike.

Në fundin e seancës, ata zhvilluan edhe një lojë mes tyre. Këto 10 ditë pushim në Durrës kanë mjaftuar dhe kanë shërbyer për t’u bërë gati për sfidat ndaj Korabit dhe Skënderbeut. Teutën e pret një ndeshje e vështirë. Të gjithë lojtarët janë mjaft të motivuar dhe shpresojnë që ta rikthehen me rezultate të mira dhe ta kalojnë edhe këtë pengesë.

Në Durrës janë me mendimin që t’i marrin një e nga një ndeshjet, sepse nuk mund të bëhen plane afatgjata. Së pari, duhet të mendojnë të kalojnë me sukses Korabin.

SKEMA – Siç dihet, Teuta do të këtë plot katër mungesa ndaj Skënderbeut dhe trajneri Martini pritet që në ndeshjen ndaj Korabit të bëjë disa lëvizje në formacion për të konsoliduar 11 lojtarët që do luajnë ndaj korçarëve. Në portë pritet të luajë Qirko, para tij, Todorovksi, Kotobelli, Ivanoviç, Idrizaj, L.Beqja, E.Vila, Kallaku, L.Vila, Koubema dhe Gorgiev. Por, gjithçka pritet të vendoset vetëm në seancën stërvitore që do të zhvillohet sot.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"