Ndeshja ndaj Kastriotit/ Teuta nuk dorëzohet, në sulm për vendin e katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 12:58

Ndeshja ndaj Kastriotit/ Teuta nuk dorëzohet, në sulm për vendin e katërt

Te Teuta besojnë ende se kanë shpresa për të kapur vendin e katërt, duke përfituar pse jo një biletë për Europën përmes një kombinimi që mund të bëhej për fituesin e Kupës së Shqipërisë.

Arapi festa Teuta

Skuadra e Renato Arapit nuk e njeh humbjen prej 6 javësh, me tri barazime dhe tri fitore, ndërsa një fitore sot ndaj Kastriotit do të mbante gjallë shpresat për vendin e katërt.

Teuta prezantohet në këtë duel pas fitores me Egnatian, me durrsakët të cilët në gjashtë ndeshjet e fundit kanë shënuar të paktën një gol, por problemi vijon të jetë mbrojtja, pasi në këto gjashtë sfida, në pesë prej tyre kanë pësuar.

Në seancën e fundit stërvitore, përveç lojtarëve të dëmtuar si Xhekson dhe Daja, kanë qenë në dispozicion të gjithë futbollistët.

Një lajm i mirë për Arapin është rikthimi i Lorenco Vilës, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe do të jetë i gatshëm për këtë takim. Në mesin e seancës së djeshme Arapi nisi të punonte për vendosjen e lojtarëve në fushë.

Trajneri nuk ndalej së foluri dhe udhëzuari lojtarët, të cilët i ndau në dy grupe dhe organizoi një minindeshje kontrolli, ku pati rivalitet të madh.

Gjasat janë që formacioni të mos ketë asnjë ndryshim nga takimi i fundit me Egnatian. Arapi duket se ka gjetur formacionin ideal tashmë që e çon ekipin drejt suksesit.

Sërish do të luhet me dy sulmuesit, Hebaj dhe Daci, nga minuta e parë, në një kohë që prioritet i madh u është dhënë goditjeve standarde, me ekzekutues mbrojtësin e majtë, Blerim Kotobelli.

TEU

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"