Ndeshja ndaj Erzenit, Edlir Tetova: Shijakasit të fortë, por Egnatia luan për triumfin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2022 | 11:17


Ndeshja ndaj Erzenit, Edlir Tetova: Shijakasit të fortë, por Egnatia luan për triumfin!

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, është optimist për ndeshjen e sotme ndaj Erzenit, që do të luhet në orën 15:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai ka theksuar se skuadra që drejton është ndërtuar mbi bazën e disa objektivave shumë të rëndësishëm, për të cilën janë të gjithë të vetëdijshëm se duhet shumë sakrifica për t’u përmbushur. “Nga presidenti Agim Demrozi skuadra ka pasur në dispozicion gjithçka që i duhet. Prandaj, ne duam ta justifikojmë më së miri veten, duke marrë maksimumin në ndeshjen e sotme ndaj Erzenit”, ka thënë ndër të tjera Tetova.

EDLIR TETOVA 1

Edlir, pas atij barazimi në Rrogozhinë ndaj Kastriotit, çfarë prisni sot në ndeshjen kundër Erzenit në Durrës?

Përballë do të kemi një kundërshtar si Erzeni, që në javët e para të kampionatit ka bërë shumë mirë. Sigurisht, do t’i kushtojmë vëmendje maksimale sfidës së sotme, me synimin për të marrë maksimumin.

Përveç mbrojtësit të majtë, Emiljano Musta, i cili mungon për shkak kartonësh, a ka diçka që ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje?

Musta është një mungesë e madhe në mbrojtje, por këtë do ta dublojmë me Selitën, që mezi e ka pritur të ketë minuta që nga starti i lojës. Është një lojtar i ri, por me ambicie, prandaj presim shumë nga ai.

Shijakasit luajnë në fushë asnjanëse, pikërisht në Durrës. A përbën kjo ndonjë avantazh për Egnatian?

Nuk e besoj se është faktor fusha. Erzeni në këto 6 javë ka treguar se ka ditur të luajë mirë në çdo fushë, përveç ndeshjes së fundit në Ballsh.

Në dy takimet e fundit Egnatia nuk ka shënuar. Besoni se ky “agjërim” do të mbyllet këtu dhe do të zhbllokoheni me Erzenin.

Në dy ndeshjet e fundit vërtet kemi pasur probleme, por shpresojmë që sot do të kthehemi te goli. Kam shumë besim për këtë.

Një fitore me shijakasit ju jep mundësinë e një rrokade në renditje. E shihni Egnatian në vendet e sipërme pas kësaj ndeshjeje?

Ekipet janë të gjitha të ngjeshura në renditje, pra shumë afër në pikë nga njëri-tjetri. Nga vendi i parë deri tek i fundit nuk është ndonjë diferencë e madhe. Unë them se për ne ka shumë rëndësi që të guxojmë, pasi të bësh këtë gjë në fushë nuk është asnjëherë e ndaluar. Këtë shpresojmë që të ndodhë edhe sot. Besoj se futbollistët e mi do të bëjnë maksimumin, duke kërkuar të marrim pikët e plota.

FATMIR EFICA – PANORAMASPORT.AL