Ndeshja ndaj Egnatias, Martini me dilema për rolin e Aleksit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 21:47


Ndeshja ndaj Egnatias, Martini me dilema për rolin e Aleksit

Pas humbjes me Tiranën, lajm i mirë për Teutën në prag të ndeshjes me Egnatian është gjendja e skuadrës, pasi trajneri Edi Martini i ka thuajse të gjithë lojtarët të gatshëm. Përveç Idrizajt, që mbetet me pikëpyetje për këtë takim për arsye dëmtimi, pjesa tjetër e lojtarëve nuk ka shfaqur asnjë problem dhe shqetësim shëndetësor.

TEUTA

Konkurrenca e madhe bën që formacioni titullar të kristalizohet ditën e sfidës. Dilemat ekzistojnë, ndaj trajneri Martini pritet të zgjedhë njëmbëdhjetëshen që do të përballet me Egnatian në momentet e fundit. Përqendrimi i futbollistëve është maksimal dhe skuadra vijon të përgatitet me intensitet të lartë. Trajneri e ka parë të nevojshme të motivojë ekipin, pavarësisht se në një takim të tillë nuk mund të mos interpretohet me maksimumin e forcës.

Për trajnerin Martini është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe për objektivat. Për këtë arsye, dje tekniku i bluve fillimisht zhvilloi një bisedë me gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin.

Martini e ndau fillimisht skuadrën në tri grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve. Më pas vijoi me ushtrimet e përgjithshme në funksion të sfidës të së premtes. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe ekziston dëshira e madhe që Teuta të vijojë me rezultate pozitive.

ANALIZA – Trajneri Edi Martini në analizë ka kërkuar që lojtarët ta heqin mendjen nga renditja, por të mendojnë vetëm për Egnatian. Sipas tij, vetëm pasi t’i fitojnë ndeshjen një e nga një, do të flitet për titullin. Në këtë moment flitet për sfidën e radhës me rrogozhinasit. Edhe pse ka dilema, trajneri pritet të provojë të njëjtin formacion si me Tiranën. Rikthim mund të jetë Daja që mungoi ndaj bardhebluve.

Gjithsesi, titullar stabël konsiderohet Alekei, i cili ka kontribuar ku i është kërkuar, por që mund të luajë edhe në mbrojtje në sfidën me Egnatian. Teuta e Martinit, nga katër ndeshjet e mbetura të fazës së parë, 3 i ka me kundërshtarë që janë poshtë në renditje dhe një në transfertë me Laçin. Nëse ia del, atëherë është për titull.

FORMACIONI – Ndaj Egnatias kërkohet stabilizimi i mbrojtjes. Dilema ka të bëjë me rolin e Aleksit, i cili kur ka luajtur në qendër të mbrojtjes, ekipi ka qenë më rezultativ. Qirko në portë, ndërsa nëse luhet si me Tiranën në mbrojtje nga minuta e parë priten Xhekson, Ivanoviç, Selmani dhe Todorovski.

Njëri nga dy qendrat mund të jenë në “rrezik” nga Aleksi, i cili me rreshtimin normal pritet të formojë dyshen para mbrojtjes me Dajën. Nëse Aleksi luan në mbrojtje, i bie që përkrah Dajës të luajë Akuah. Emiljano Vila dhe Plaku do të kenë për detyrë që të asistojnë përpara nga krahët dhe Kallaku në qendër pas sulmuesit kryesor, ku pykë konsiderohet Koubemba. Por, mund të luhet edhe me dy sulmues, ku Lorenco Vila të luajë përkrah kongolezit.

ZAMIR QYPI  – PANORAMASPORT.AL