Ndeshja ndaj bluve të kryeqytetit, Asion Daja: Dinamo i bën mirë futbollit shqiptar, gati për t’i mposhtur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 10:33

Ndeshja ndaj bluve të kryeqytetit, Asion Daja: Dinamo i bën mirë futbollit shqiptar, gati për t’i mposhtur

Asion Daja është një prodhim i Dinamos si futbollist dhe normalisht nuk ka se si ta harrojë të shkuarën. Mesfushori i Teutës pranoi nëse sot skuadrën e tij e pret një ndeshje e fortë, por theksoi se kampionët janë gati për ta bërë një kampionat tjetër të madh. 31-vjeçari luan sezonin e tij të dytë në Durrës dhe është i bindur se sërish ekipi ku bën pjesë do të bëjë diferencën në fund.

ASION DAJA 2

Asion, do ta rigjeni Dinamon si kundërshtar, pikërisht ekipin ku jeni formuar si futbollist. Keni ndonjë emocion të veçantë?

Të them të drejtën, jam në një moshë që nuk është se kam shumë emocione. Nuk jam tip emocional, por është gjë e mirë për futbollin shqiptar që është rikthyer Dinamo. I bën mirë gjithë sportit në përgjithësi.

Me aq sa e keni parë Dinamon, çfarë ndeshje prisni sot?

I dimë mundësitë e Dinamos dhe cilësitë e tyre. Jemi duke e analizuar akoma, por ne do të arrijmë që të marrim maksimumin këtë ndeshje.

A mund të bëni një krahasim me Teutën e sezonit të kaluar?

Teuta e kampionatit të kaluar ishte mjaft e fortë, pasi doli kampione. Kishte lojtarë me eksperiencë dhe ata që ikën kanë qenë pjesë e atij ekipi kampion. Për sezonin e ri, pasi del kampion, skuadra mundohet të bëjë akoma më mirë. Gjithçka është ndërtuar për të qenë më e fortë se vitin e kaluar.

ASION DAJA 3

Si e shihni konkurrencën në mesfushë pas afrimeve në merkato?

Jo vetëm në mesfushë, por në çdo repart ekipi ynë ka rivalitet të madh. Duke qenë se jemi skuadër kampione, konkurrenca na bën mirë.

Keni një ide se kush mund të jenë rivalët më të fortë për Teutën?

Jemi vetëm në fillimin e kampionatit, por edhe një sezon më parë, kështu ka qenë kampionati. Vetëm dy-tri ekipe luftuan më pas deri në fund. Aktualisht nuk mund të jap një përgjigje të saktë, por unë shoh vetëm Teutën, që është gati ta fitojë sërish kampionatin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"