Ndeshja ndaj Besës, Bruka: Besëlidhja e blinduar, të kapim korsinë e Superiores!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2022 | 11:30

Ndeshja ndaj Besës, Bruka: Besëlidhja e blinduar, të kapim korsinë e Superiores!

Lezhjanët do të presin të shtunën, në orën 15:00, në stadiumin “Besëlidhja”, Besën e Kavajës. Takimi zhvillohet për llogari të javës së dytë të kampionatit. Si Besëlidhja edhe Besa do të luftojnë për tri pikët, që do t’i mbajnë sa më pranë kreut. Në kampin lezhjan janë optimistë dhe besojnë vetëm te fitorja. Trajneri Alban Bruka shprehet optimist dhe është mjaft i qetë kur për “Panorama Sport”, në prag të sfidës së sotme, thotë:

BRUKA BESELIDHJA

“Nisja e kampionatit me pikë dhe për më tepër në një transfertë të vështirë është një bonus psikologjik për të gjithë ne. Duke e ditur se të gjitha ekipet, startin e nisin me objektiva të mëdhenj, ne kemi menduar që të jemi kujdesshëm dhe të qetë.

Skuadrën aktuale e kemi me të vërtetë ‘të blinduar’, pasi pjesa dërrmuese e futbollistëve të organikës, të paktën sezonin e kaluar, kanë luajtur si titullarë. Boshtin e ekipit e kemi me futbollistë tepër cilësorë, me emër dhe eksperiencë të gjatë si titullarë.

Kjo na bën optimistë dhe për rrjedhojë pretendentë real. Merkatoja e kësaj vere na ka hequr një dhimbje të madhe koke, pasi kemi edhe stolin tepër cilësor. Kjo ka rritur edhe konkurrencën brenda grupit në stërvitje, çka e mban ekipin të karikuar gjithmonë.

Historikisht, gati për një shekull Besëlidhja dhe Besa kanë zhvilluar ndeshje shumë cilësore dhe spektakolare, si në Superiore, ashtu edhe në inferiore, ndaj edhe nesër do të zhvillohet një ndeshje me aromë elite.

Për këtë arsye tifozët do të jenë të shumtë në shkallët e stadiumit, çka do të na japin një dorë të mirë ndihme në fitoren e padiskutueshme ndaj Besës.

Trepikëshi i sotshëm ndaj Besës do të jetë starti ynë i sigurt në korsinë e shpejtësisë që të dërgon në Superiore”.

Të dyja ekipet vijnë në këtë sfidë pas barazimeve respektive pa gola, Besëlidhja në Cërrik dhe besa ndaj Tomorit. Ndaj, misioni i kësaj sfide për të dyja ekipet është shijimi i fitores së parë sezonale.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"