Ndeshja me Tomorin, Kanarsa: U mësuam të luajmë tek aneksi, asnjë justifikim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2022 | 11:35

Ndeshja me Tomorin, Kanarsa: U mësuam të luajmë tek aneksi, asnjë justifikim

Apolonia nuk ka në plan që të humbasë më terren në renditje. Edhe pse pikët mungojnë, ngjitja është kthyer në një fiksim. Juri Karansa paralajmëron autokritikën kundër Tomorit, ndonëse e pranon që nuk do të jetë e lehtë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri italian tha:

Juriy KANARSA

“Gabuam me Tërbunin dhe e pësuam. Më vjen keq që u ndamë pas dy muajsh, por ja që ndodhi. Nuk mund të kthehemi më pas, por kemi në dorë diçka tjetër.

Të bëjmë autokritikën. Mendoj se kemi nxjerrë mësimet e duhura nga ndeshja e fundit dhe me Tomorin do gjejmë fitoren. Është supersfidë, për vetë pozitat që kanë skuadrat në renditje.

E megjithatë, nuk mund të mohojmë një fakt. Jemi rritur shumë në lojë. Djemtë po dalin në skemën që unë kam dashur prej kohësh. Shoh një grup më të organizuar dhe më të motivuar.

Besoj deri në fund tek objektivi sezonal. Ecuria e deritanishme mund të konsiderohet pozitive, duke qenë se kemi filluar gjithçka nga zeroja dhe jemi shumë afër vendit të tretë në renditje.

Mund të them edhe që jemi të vetëdijshëm për gabimet tona në këtë sezon, por Apolonia ka një grup lojtarësh me moshë të re të cilëve u mungon eksperienca.

A na penalizon fakti që luajmë në aneks? Nuk ka asnjë justifikim. U mësuam të luajmë aty dhe jo pak herë kemi fituar. Jemi profesionistë dhe si të tillë duhet të luajmë.

U bëj thirrje tifozëve që të na mbështesin. Së bashku mund të kalojmë çdo pengesë”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"