Ndeshja me Skënderbeun rrezikon seriozisht Vllazninë, Jonuz u trembet kartonave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2020 | 22:36

Ndeshja me Skënderbeun rrezikon seriozisht Vllazninë, Jonuz u trembet kartonave

Në Shkodër nuk duan blof ndaj Skënderbeut. Ky 90-minutësh konsiderohet përcaktues prej Vllaznisë, pasi me një fitore të mundshme do të kishin mundësi që të parakalonin korçarët dhe rrjedhimisht largoheshin zonës së “play out”-it. Vendi i 8-të nuk u jep aspak qetësi kuqebluve, ndaj për të shmangur “hijet” e një tjetër rënieje nga kategoria një trepikësh shihet si shpëtim. E lehtë nuk do të jetë kurrsesi dhe shkodranët e kanë më shumë se të qartë këtë.

Vllaznia-Bylis

Kundërshtari nuk është më i fazës së parë, që e mposhtën me shifrat 4-0. Në javët e fundit ata kanë dëshmuar forcë dhe karakter, duke u marrë pikë ekipeve si Bylisi, Tirana dhe Teuta. Për këtë motiv, Mirsad Jonuz është duke ideuar strategjinë për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Por pengesat nuk i ka të vogla.

MUNGESAT
 Mungesat mbeten një shqetësim i vazhdueshëm për të. Kartonët janë kthyer zyrtarisht në një makth, pasi edhe këtë javë duhet t’i bëjnë llogaritë pa dy futbollistë. Mevlan Adili dhe Florind Bardulla morën të 4-tin të verdhë kundër Luftëtarit, ndaj nuk mund të luajnë këtë të shtunë. Stres më vete shkaktojnë edhe lojtarët që janë me nga 3 kartonë të verdhë. Dhe nuk janë pak që rrezikojnë, por 5. Behar Ramadani, Gilman Lika, Herald Marku, Ardit Krymi dhe Hygor Guimaraesh janë ata që duhet të ruhen.

kartona

Vërtet trajneri maqedonas e quan përcaktuese këtë përballje, por e di më së miri që kampionati nuk mbyllet në javën e 24-t. Ndaj, ka kërkuar sa më shumë kujdes prej futbollistëve që të shmangin ndërhyrjet e panevojshme, që do të sillnin të tjera mungesa për takimin pasues me Kukësin. Nuk do të ishte habi që tekniku të kursente ndonjë nga emrat e mësipërm, duke bërë ndonjë ndryshim në formacion kundër korçarëve.

FORMACIONI
Skuadra mbylli ditën e tretë të stërvitjeve për Skënderbeun, megjithatë ende nuk mund të thuhet me siguri se kush do ta nisë nga minuta e parë. Ka ndodhur shpesh që Jonuz ta ndryshojë formacionin pak orë para ndeshjes, gjë që mund të përsëritet. E megjithatë, referuar asaj që është provuar në fushë gjatë një loje brenda grupit, është krijuar një ide parapake për 11-shen.

jonuz

Porta edhe këtë javë do t’i besohet Andreja Efremovit, i cili me sa duket e bindi trajnerin javën e fundit. Në mbrojtje do të rikthehet Gurishta djathtas, i cili e ka kaluar dëmtimin që e la në stol kundër Luftëtarit. Ai ndihet më mirë dhe e ka kaluar plotësisht atë dëmtim që kishte në shpinë. Në qendër të defensivës do të kthehet dyshja Malota-Shehi, që në fakt nuk janë bërë bashkë që prej ardhjes së Adilit në merkaton e dimrit. Për të kompletuar repartin, në të majtë do të vendoset Gligorov dhe Marku mund ta bëjë pushim, meqenëse ka tre të verdhë.

Në mesin e fushës përkrah Krymit e Ramadanit pritet të jetë Hygor i rikuperuar gjithashtu, që do të bëjë lidhjen e mesit të fushës me sulmin. Pas sulmuesit Zhunior, në dy krahët e sulmit ndoshta do të jetë një pikë për t’u diskutuar. Lika e Shtubina mund të jenë zgjidhjet më të mundshme, por gjithsesi opsion mbetet edhe Sidorenko, i cili bindi kundër Luftëtarit me golin dhe formën e tij.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"