Ndeshja me Partizanin, Sadriu: Ndaj “demave” vlen edhe barazimi, në mbrojtje jemi super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 20:11

Ndeshja me Partizanin, Sadriu: Ndaj “demave” vlen edhe barazimi, në mbrojtje jemi super

Skënderbeu duket se është gati për ndeshjen e radhës në kampionat përballë Partizanit. Rezultatet pozitive me disa ekipe që janë në pjesën e sipërme të renditjes dhe pretendojnë për titullin kampion, kanë sjellë një tjetër frymë optimizmi në kampin bardhekuq.

leard sadriu

Me moralin në majë bardhekuqtë janë të gjithë të fokusuar te ndeshja e radhës kundër të kuqve, takim që kërkojnë të marrin më të mirën për të vijuar me rezultatet pozitive.

I këtij mendimi është edhe Leard Sadriu mbrojtësi i Skënderbeut, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ka treguar se nuk kanë asnjë arsye pse t’u druhen të kuqve, por do të shkojnë në këtë takim duke u përballur me kokën lart. Kosovari tregon se Skënderbeu në këto momente është ekip i konsoliduar dhe do të kërkojë gjithnjë fitoren në këtë takim.

“Rezultatet e fundit dhe lojërat që kemi zhvilluar na kanë dhënë mjaft besim dhe optimizëm për ndeshjet në vijim. Tani është e rëndësishme që të ecim përpara përmes këtyre rezultateve dhe të vijojmë paraqitjet tona të mira. Me laps dhe letër në dorë kemi zhvilluar tri ndeshjet e fundit lojëra shumë të mira, madje meritonim të kishim të paktën dy pikë më shumë. Me një moral të lartë do të përballemi edhe me Partizanin.

Është një kundërshtar që u rikthye te fitoret pasi nuk po kalonte një periudhë të mirë por kjo është një përgjegjësi e tyre. Ne mendojmë vetëm për veten tonë dhe për të bërë mirë takimin e radhës me qëllim që të dalim me pikë nga kjo ndeshje. Normalisht do të hyjmë në fushë për tri pikët, por edhe një barazim mendoj se mund të na shkonte mirë duke qenë se është një ndeshje në transfertë. Gjithsesi, do të bëjmë maksimumin që të marrim një fitore ndaj Partizanit. Besojmë shumë se mund t’ia dalim”, theksoi fillimisht Sadriu.

MBROJTJA
Më tej mbrojtësi i Skënderbeut u ndal edhe te reparti difensiv që si kurrë më parë ka një moshë mesatare shumë të vogël. Me lojtarë ku më i madhi është 23 vjet Sadriu mendon se kjo mbrojtje është për rekord “Guinness”, ndërsa ka theksuar se treshja e qendrës po rritet dita-ditës duke treguar më shumë soliditet. “Të them të drejtën, mbrojtja ka qenë një nga pikat me të vështira të Skënderbeut në sezonin e kaluar derisa arritëm të gjenim balancat e duhura.

Jemi katër lojtarë që luajmë në qendrën me tre futbollistë dhe të gjithë jemi në një moshë të re, por po rritemi shumë dhe po tregojmë soliditet në ndeshjet e fundit. Mund të them se ka ardhur koha të mbajmë portën e paprekur aq më shumë kur kemi edhe një portier të talentuar si Rexhepi. Duhet të rritemi ende dhe mendoj se mund të bëhemi shumë shpejt reparti më i mirë i kampionatit”, përfundoi Sadriu.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"