“Ndeshja me Kukësin do të ndihmojë shumë për derbin”, Mërgjyshi: T’i harrojmë dy humbjet e kaluara me Lushnjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2020 | 11:22

“Ndeshja me Kukësin do të ndihmojë shumë për derbin”, Mërgjyshi: T’i harrojmë dy humbjet e kaluara me Lushnjen

Më në fund, do të luhet derbi myzeqar mes Apolonisë dhe Lushnjës, i karikuar qysh përpara kohës së pandemisë, por që nuk u luajt asokohe, për shkak të ndërprerjes së kampionatit. Është një ndeshje që gjithmonë ka shumë interes në faktorin sportdashës, por ca më shumë këtë herë, duke pasur parasysh pozicionin, ku vetëm 2 pikë i ndajnë nga njëra-tjetra këto dy rivale të forta në objektivin e Superiores. Apolonia mban vendin e dytë me 37 pikë, ndërsa Lushnja vendin e tretë me 35 pikë, në një grup ku kryeson Pogradeci që humbi dje, duke i karikuar më shumë dy ekipet para derbit.
mergjyshi
Në intervistën e dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, jep opinionin dhe parashikimin e tij për këtë ndeshje.

Mërgjyshi, më në fund është momenti i derbit të shumëpritur me Lushnjën. Si është gjendja e skuadrës suaj përpara këtij takimi?
Mund të them se gjendja është relativisht e mirë, nuk kemi lojtarë me probleme, me përjashtim të Hysenshahajt, që nuk është i gatshëm. Pavarësisht se e dimë mirë që na pret një ndeshje e vështirë, gjendja jonë është optimale dhe skuadra është gati për të zhvilluar lojën e saj.

Faktin që keni luajtur të enjten për Kupë, e shihni si pozitiv apo negativ, pasi kundërshtari ka pasur më shumë kohë në dispozicion dhe mund të jetë më i freskët fizikisht?
Janë të dyja anët e medaljes, por e shoh më tepër si pozitiv, pasi ne më përpara kemi luajtur një ndeshje të rëndësishme dhe me një ekip cilësor, si Kukësi, çka mendoj se na ka shërbyer në shumë aspekte. Pavarësisht se kemi pasur ngarkesëm nga ajo ndeshje, këto ditë jemi marrë me rikuperimin e skuadrës dhe them që ndeshja me Kukësin na ka bërë mirë, pasi na ka futur në një marsh më shumë dhe ajo paraqitje, edhe pse humbëm, do të ndikojë pozitivisht në psikologjinë e lojtarëve.
lushnja
I keni humbur dy përballjet e para me Lushnjën këtë kampionat. A mund të ndikojë psikologjikisht te skuadra juaj ky fakt?
Është e vërtetë dhe ne e dimë që Lushnja është një kundërshtar shumë i vështirë e specifik, ekip cilësor. Po, i kemi humbur të dyja përballjet e para, por çdo ndeshje është një histori tjetër dhe përpos faktit që është derbi dhe ne duam ta fitojmë, nuk kemi rrugë tjetër për pozicionin që kemi. Për të synuar qëllimin final, duhet ta kalojmë këtë ndeshje me sukses. Besoj se dy humbjet e mëparshme nuk do të ndikojnë te psikologjia e skuadrës dhe nuk duhet të marrim si barometër të shkuarën, por të luajmë me qetësi, siguri dhe besim ndeshjen e radhës.

A e keni menduar një “formulë” sekrete fituese për këtë ndeshje?
Në ndeshje të tilla asgjë nuk parashikohet, pasi rezultati është i hapur. Të dyja skuadrat janë të motivuara për të marrë maksimumin, pasi barazimi thuajse nuk vlen. Një formulë sekrete? Asgjë sekrete, por diçka që e dinë të gjithë: Që të fitojmë, duhet të luajmë më mirë  se kundërshtari dhe të shënojmëtë paktën 1 gol më shumë se ata- ja, ky është “sekreti”.

Mendoni se do të ndikojë rezultati i kësaj ndeshjeje për objektivat e secilës skuadër?
Patjetër që pas kësaj ndeshjeje do të jetë një pasqyrë më e qartë në renditje. Të dyja skuadrat e kanë objektiv fitoren, sidomos
Lushnja e ka më të domosdoshme, sepse një humbje e tyre i largon edhe më shumë nga pretendimet, por edhe ne e kemi të qartë që kjo ndeshje është si urë lidhëse për vazhdimin dhe për të pasur ritmin e duhur për ndeshjen pasardhëse me Pogradecin. Janë dy ndeshje, që duhet t’i mbyllim të paktën me 4 pikë, për të vijuar me synimin final. Tani jemi të fokusuar te
Lushnja, ndaj së cilës do të luajmë për fitore.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"