“Ndeshja me Flamurtarin pikë kyçe e këtij sezoni”, Temitope: Kreu na takon, të shmangim “shthurjen”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2023 | 22:01

“Ndeshja me Flamurtarin pikë kyçe e këtij sezoni”, Temitope: Kreu na takon, të shmangim “shthurjen”

Skënderbeu vazhdon të jetë i pathyeshëm. Kanë lënë ndonjë pikë rrugës, por humbjen nuk e njohin prej 14 nëntorit. Janë në total 8 fitore dhe 4 barazime, që i kanë dhënë “komandën” e Kategorisë së Parë.

ABDUL TEMITOPE

Me kampionatin që po shkon në metrat e fundit dhe diferencat që janë minimale, gabimet zyrtarisht ndalohen. Dhe delikate është transferta e kësaj jave. Shkojnë në Vlorë, atje ku i pret Flamurtari i vendit të tretë. Llogaritë bëhen vetëm me pikët e plota. Kështu, jo vetëm do të blindonin kryesimin, por do të “digjnin” një rival direkt. I gjithë fokusi i bardhekuqve është pikërisht atje, ndaj prej dy ditësh po përgatiten deri në detaje. Korçarët duan që të mbajnë “podin”, ndaj janë gati që të sakrifikojnë për të arritjen e objektivit maksimal. Ky është mesazhi që i përcjell ekipit edhe Abdul Temitope. Në një prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Skënderbeut kërkon që të mbajnë ritëm të lartë në 450 minutat e fundit të garës dhe të mos i japin prioritet lavdisë personale.

“Ndeshja e fundit na riktheu në ‘shina’. Pas atij barazimi me Besëlidhjen, mundëm Apoloninë në shtëpi. Tani nuk na mbetet tjetër veçse të ruajmë ritmin deri në mbyllje të kësaj gare. Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe kjo duket nga rezultati, pasi fituam bindshëm. Edhe pse kundërshtari nuk ishte i thjeshtë për t’u përballuar. Nisur nga ky fakt, na lind për detyrë që të ecim me të njëjtin përqendrim dhe të njëjtën përgatitje për javët e mbetura. Nëse luajmë si ndaj Apolonisë, besoj se do të ecim përpara pa problem, por duhet të shmangim shthurjen në fund të ndeshjes që na çoi drejt individualizmit”, tha fillimisht autori i 9 golave me korçarët.

KRYENDESHJA I ndalur më konkretisht te ndeshja ndaj Flamurtarit, sulmuesi i Skënderbeut u shpreh i bindur se do të jetë kryendeshja e sezonit.

“Kjo javë është një pikë kyçe e sezonit. Luajmë me një prej rivalëve direktë që kemi në këtë garë dhe vlerësimi është maksimal. Kundërshtari po bën mjaft mirë dhe ka mbajtur ritmin tonë. Por, kjo nuk do të na fusë në mbingarkesë psikologjike. Është ndeshje si gjithë të tjerat në fund të fundit, ashtu si 4 finalet pasardhëse, pavarësisht se doemos një tjetër interpretim e mbart me vete. Ne jemi gati dhe për fat të mirë jemi të bashkuar që të shkojmë drejt një qëllimi përfundimtar. Kjo është ajo që unë dua t’i mëshoj më shumë për këtë 90-minutësh. Nëse jemi grup, kalojmë çdo gjë”, mbylli Temitope.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"