Ndeshja kundër Kukësit, Pedro premton gol: Po e vuaj shumë penalltinë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 28, 2021 | 9:54

Ndeshja kundër Kukësit, Pedro premton gol: Po e vuaj shumë penalltinë…

Egnatia luan transfertën e radhës ndaj Kukësit të dielën në orën 13:45 në fushën asnjanëse të Laçit. Ky stadium iu sjell fat rrogozhinasve, pasi për herë të fundit që kanë luajtur, kanë mundur minimalisht vendësit me një gol të brazilianit Pedro Augusto.

pedro augusto

Sulmuesi u bë protagonist në ndeshjen ndaj Dinamos me një penallti të humbur, teksa mori edhe kritikat e trajnerit Gugash Magani pas ndeshjes, pasi 11-metërshin duhet ta godiste kapiteni Bruno Telushi.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, braziliani shprehet optimist për përballjen e radhës, ndërsa sa i përket penalltisë së humbur është i bindur se gabime të tilla nuk do të përsëriten aspak.

“Gabova në atë goditje nga penalltia ndaj Dinamos dhe po e vuaj ende atë moment. Besoj se u nxitova në vendimmarrjen time. Nëpërmjet gazetës suaj i kërkoj falje ekipit dhe stafit. Gjithmonë shoh që të bëj më të mirën, por ndikoi ai moment, pasi isha i bindur që do të shënoja.

Tashmë jemi të bashkuar për një qëllim, që të vazhdojmë ecurinë e rezultateve pozitive. Jam sulmues dhe e kam detyrë që të shënoj në çdo rast që më krijohet. Tashmë kemi lënë pas ndeshjen me Dinamon dhe atë gabim që bëra nga penalltia, mendoj ta shlyej në vazhdim. Ndaj Kukësit shpresoj të shënoj një gol me vlera.

E kisha më të lehtë në Kupë, por në kampionat duhet më shumë përqendrim. Uroj të jem sërish protagonist ndaj Kukësit, pasi është një skuadër që më ka sjellë fat”, deklaroi braziliani, duke iu referuar edhe dopietës në Kupë ndaj verilindorëve. Ai është i bindur se Egnatia do të vazhdojë ecurinë e rezultateve pozitive.

“Me Kukësin do të ruajmë përsëri ecurinë që kemi në transferta. Po kalojmë formë të mirë dhe premtoj më të mirën. Është shumë e rëndësishme që luajmë në një fushë ku kemi fituar më parë”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"