Ndeshja e parë në shtëpi, Mërgjyshi do një Apoloni serioze: Të tregojmë forcën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 5, 2019 | 10:32

Ndeshja e parë në shtëpi, Mërgjyshi do një Apoloni serioze: Të tregojmë forcën

Në kuadër të javës së katërt të Kategorisë së Parë, Apolonia do të presë në fushën e vet Ilirinë e Fushë-Krujës. Ndeshja do të luhet në mjediset e akademisë fierake. Është e para ndeshje në shtëpi dhe për bardhejeshilët ka një objektiv të vetëm, fitorja.mergjyshi

Morali i skuadrës është i lartë dhe lojtarët janë të qetë përpara këtij ballafaqimi, madje kanë besim të plotë në fitore, siguri që vjen edhe pas rezultatit pozitiv të javës së shkuar në Cërrik. Por edhe fushë-krujasit vijnë pas fitores me Shënkollin dhe do të guxojnë që në Fier të mos humbasin.

Pavarësisht nga besimi që ekziston në grup, trajneri Mërgjyshi i ruhet ndonjë nënvlerësimi nga ana e të tijve, ndaj kërkon nga skuadra angazhim maksimal gjatë gjithë ndeshjes. “Do të luajmë ndeshjen e parë në fushën tonë dhe është një javë e rëndësishme për ne. Vijmë pas një fitoreje në transfertë dhe skuadra ka punuar qetë, është përgatitur me seriozitetin e duhur për takimin e radhës. Nuk mendojmë se Iliria është ekip i lehtë dhe nuk e kemi parë aspak si të tillë, përkundrazi e kemi vlerësuar ndeshjen me kujdes dhe me përgjegjësi të plotë. Nuk na interesojnë vlerësimet në letër, pasi futbolli luhet në fushë dhe ne aty duhet të tregojmë forcën dhe vlerat tona më të mira. Siç e thashë më lart, është një javë e rëndësishme për ne dhe do të luajmë vetëm për 3 pikë, për të marrë një fitore vazhdimësie, çka do t’i jepte më shumë siguri skuadrës, duke përforcuar edhe pozitat tona në renditje. E kam thënë edhe më parë se për të realizuar synimet tona duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe në të gjitha të luajmë vetëm për rezultate maksimale”, thotë trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

Pas 3 javëve të para, Apolonia renditet në vendin e katërt me 6 pikë, ndërsa Iliria në vendin e tetë me 3 pikë.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"