Ndeshja e parë kundër Cërvenës, Shaqiri: Serbët do më vërshëllejnë, por unë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2018 | 12:00

Ndeshja e parë kundër Cërvenës, Shaqiri: Serbët do më vërshëllejnë, por unë…

Kur shorti i Champions-it përplasi në të njëjtin grup Liverpulin dhe Cërvena Zvezdën, u përfol shumë për vizitën e Xherdan Shaqirit në Beograd. Tifozët serbë e shtuan dozën e urrejtjes ndaj mesfushorit nga Gjilani pas festës me shqiponjë që bëri në ndeshjen Zvicër-Serbi në Botëror. 27- vjeçari u gjobit nga FIFA së bashku me Xhakën dhe tani përgatitet për t’i përjetuar emocionet e një tjetër sfide kundër Yllit të Kuq të Beogradit nesër në “Anfield” dhe pas dy javësh në “ferrin” e kryeqytetit serb.

shaqiriok

Pas hedhjes së shortit, drejtori i përgjithshëm i Cërvenës, Zvezdan Terziç, tha se Shaqirin e pret një presion i jashtëzakonshëm psikologjik kur të luhet në “Marakana”. Por, futbollisti është përpjekur gjithnjë që t’i zbusë notat e tensionit politik përpara ndeshjes. I pyetur nga “Liverpool Echo” nëse do të jetë i shqetësuar se do të jetë një shënjestër e tifozëve serbë, Shaq thotë: “Jo, aspak. Është thjesht një ndeshje normale dhe unë do ta trajtoj atë si të tillë. Sigurisht që mund të ketë disa tifozë që do të më vërshëllejnë.

xherdan-shaqiri-768x540

Por, unë do ta trajtoj si të ishte një takim normal. Në fund është vetëm një ndeshje futbolli. Është një ndeshje e rëndësishme dhe ne duam të fitojmë. Sporti nuk është politikë”. Ndaj Hadërsfilldit ish-talenti i Bazelit luajti titullar dhe dhuroi asistin për të vetmin gol të Salahut. Trajneri Jyrgen Klop i ka gjetur një rol të ri, më në thellësi, atje ku zakonisht tifozët e kuq janë mësuar të shohin Lalanën.

Xherdan-Shaqiri-1021850

Por, Shaqiri shkëlqeu edhe në atë pozicion: “Startova në mesfushën me tre veta, diçka e re, sepse unë jam mësuar të luaj më përpara. Kur ishim në sulm, trajneri më donte mes linjave dhe unë jam i lumtur që e bëra mirë detyrën time, dhashë një asist, kënaqa edhe trajnerin. Kritikat e Klopit? Është shumë emocional. Kërkon më të mirën dhe të japësh gjithnjë 100 për qind. Dhe kur shikon që diçka nuk është 100 për qind normale, atëherë të ulërit, dhe ashtu bëri edhe me mua”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"