Ndeshja e parë e sezonit, Luftëtari “deja vu” me arbitrimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2017 | 11:57

Ndeshja e parë e sezonit, Luftëtari “deja vu” me arbitrimin

Nga shtatori i 2016-ës te shtatori i këtij viti, për Luftëtarin është një “deja vu” me arbitrat. Pas rikthimit në Kategorinë Superiore, e pësonte në stadiumin “Elbasan Arena”, kur humbi mininimalisht nga Partizani 1-0 në kohën shtesë, teksa nga gjyqtari Andi Koçi u akordua një penallti skandaloze që bëri xhiron e internetit. Në atë takim, sikur të mos mjaftonte vendimi i arbitrit që vulosi takimin, u ndëshkua me karton të kuq në debutim edhe mbrojtësi kamerunas, Edi Bojom.

Luftetari

Ndërkohë, historia u përsërit dy ditë më parë në Durrës. Luftëtari luajti në “Niko Dovana” me një lojtar më pak për 60 minuta, teksa i takoi sërish një debutuesi të bëhej “kokë turku”, këtë herë nga gjyqtari lezhjan, Eldorian Hamiti. Në minutën e 34-të, sulmuesi uruguaian, Fabricio Nunjez, u pengua nga mbrojtësi Ante Hrkaç, por teksa pritej të jepej një goditje dënimi për gjirokastritët, arbitri i habiti të gjithë, duke ndëshkuar uruguaianin me të kuq.

Ky vendim ndikoi jo pak në lojën e gjirokastritëve, që gjithsesi u ndëshkuan vetëm nga pika e bardhë e penalltisë në startin e pjesës së dytë. Nga klubi bluzi nuk kanë dashur që të bëjnë polemika që në javën e parë, edhe pse zv.trajneri Luis Kurbelo theksoi pas ndeshjes se fati i takimit në Durrës u vendos nga kartoni i kuq në pjesën e parë.

Të kontaktuar dje nga gazeta, drejtuesit e klubit bluzi kanë preferuar heshtjen, ndërkohë që shpresojnë që të mos ndodhë e njëjta gjë në ndeshjet në vijim, teksa e radhës për kampionat është ajo në Laç.

Vasil Shkurtaj

Goditja e madhe e merkatos së Luftëtarit ishte rezervuar pikërisht në limitin e afatit kalimtar. Sulmuesi Vasil Shkurtaj fuqizon së tepërmi repartin ofensiv të gjirokastritëve pas largimit të Rexhinaldos. Pritet që ish-lojtari i Kombëtares Shpresa të debutojë me fanellën bluzi që në ndeshjen e së dielës ndaj Laçit, sërish në transfertë. Ndërkohë, të mërkurën Luftëtari do të luajë për Kupë kundër Elbasanit, teksa ndeshja e parë luhet jashtë fushe.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"