“Ndeshja e jetës, nuk luajmë për barazim”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2014 | 14:09

“Ndeshja e jetës, nuk luajmë për barazim”

Pirlo dhe PrandeliKa një buzëqeshje të zbehur në fytyrën e trajnerit të Italisë, Çezare Prandelit, në prag të takimit më të rëndësishëm të karrierës, siç e përkufizon ai ndeshjen e sotme përballë Uruguait. Kundër formacionit të Tabarezit, Italisë i mjafton 1 pikë për të kaluar grupin, por Prandeli nuk bën llogari dhe përgatit revolucionin në formacion, me bllokun e Juventusit në mbrojtje dhe me Imobilen dhe Balotelin në sulm.
Prandeli, e keni vendosur formacionin?
Nuk mund ta them që tani. Ndeshja është shumë e vështirë dhe skuadrat duhen të kenë mundësinë që të përgatiten. Nuk mendoj se as Tabarezi do ta bëjë me dije formacionin përpara.
Si është kjo pragndeshje?
Shumë e vështirë, vendos fatin e Botërorit, por që kur doli kalendari, të gjithë do kishim firmosur që ta luanim kualifikimin në ndeshjen e fundit. Jemi një skuadër kompetitive dhe duhet të mendojmë me pozitivitet.
Me cilën mund ta krahasoni këtë pragndeshje?
Me asnjë, për mua është sfida më e rëndësishme e të gjithë karrierës dhe nuk mund të bëj asnjë krahasim.
Çfarë i keni thënë ekipit?
U kam thënë djemve të mi se kam besim të plotë tek ata dhe besoj te kualifikimi. Nuk mund të bëj parashikime, jemi të përqendruar për të fituar ndeshjen.
Çfarë mendoni për dyshen Suarez-Kavani?
Mendoj se është një nga dyshet më të forta të kampionatit Botëror. Janë dy sulmues modernë që nuk të japin pika referimi dhe kanë një nuhatje të frikshme goli. Ne duhet të jemi të zotët që t’i bllokojmë dhe mos t’u japim mundësi të na ndëshkojnë.
Italia i ka rikuperuar energjitë?
Të dhënat janë inkurajuese. Uruguai luajti me intensitet kundër Kosta Rikës dhe u mund, njësoj siç na ndodhi edhe ne. Energjitë fizike tashmë i kemi rikuperuar dhe pres që ekipi të zhvillojë një ndeshje të madhe.
Fakti që Italia ka dy rezultate në dispozicion, nga tre, a do ketë ndikim te ndeshja?
Për të arritur tek objektivi, duhet të kesh mentalitetin e fituesit. Nuk do të zbresim në fushë duke menduar barazimin, por do të sulmojmë për të fituar ndeshjen.
Si mund ta përkufizojmë deri në këtë pikë Botërorin e Italisë?
Tendenca e kampionatit është futbolli sulmues, nuk ka skuadra që nuk kanë pësuar gol me përjashtim të Nigerisë. Kampionati është shumë i ekuilibruar, ndeshjet e kaluara nuk kanë shumë rëndësi. Për ne, ndeshja më e rëndësishme luhet nesër, duhet që skuadra të ketë guxim për të sulmuar dhe për të reaguar menjëherë në rast se pëson gol.
Kundër Uruguait mund të jetë ndeshja e Imobiles?
Çiro është një sulmues modern, di të sulmojë në thellësi dhe ka një nuhatje shumë të mirë goli. Në ditët e sotme për të qenë një kampion duhet të kesh të njëjtat karakteristika. Nëse të mungon një prej tyre, nuk mund të quhet i tillë. Ai është një lojtar me perspektivë, i ka të gjitha letrat në rregull për të bërë diferencën.
Pse keni qenë skeptik për ta aktivizuar së bashku me Balotelin. Çfarë ju bëri të ndryshonit ide?
Nuk kam thënë kurrë që s’mund të luajnë së bashku. Është e qartë se nëse do të vendos të luaj me dy sulmues, ekipi duhet të pësojë disa ndryshime. Në ndeshjen e fundit luajtëm me katër sulmues në pjesën e dytë dhe nuk arritëm ta barazonim ndeshjen. Nuk është numri i sulmuesve që bën diferencën, por aftësia e tyre për të qenë vendimtarë në ndeshjet e mëdha.
Çfarë i duhet Italisë për të kaluar grupin?
Skuadra duhet të jetë agresive në çdo top. Ata kanë një ndjenjë patriotike që ne nuk e kemi si kombëtare. Gjithsesi, nuk dua asnjë justifikim: do të zbresim në fushë për të fituar ndeshjen dhe për t’u kualifikuar në fazën e ardhshme.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"