Ndeshja e fundit e Skënderbeut në Kategorinë Superiore, Liçi: E mbyllim me nder, do të provojmë disa lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2022 | 11:27


Ndeshja e fundit e Skënderbeut në Kategorinë Superiore, Liçi: E mbyllim me nder, do të provojmë disa lojtarë

Korçarët e mbyllin në shtëpinë e tyre aventurën në Kategorinë Superiore, atje ku shpresojnë të kthehen pas një sezoni, sepse në të ardhshmin do të luajnë një kategori më poshtë. Trajneri Gentian Liçi në prononcimin për “Panorama Sport” është i vendosur që gjithçka të mbyllet me nder dhe më pas vëmendja do të kalojë te ndërtimi i skuadrës së sezonit të ri. Trajneri bardhekuq është besimplotë për ringjitjen.

lici

“Është java e fundit e këtij sezoni të vështirë dhe për fat të keq jo të suksesshëm për ne. Kjo ndaj Teutës do të jetë ndeshja e fundit për ne në elitën e futbollit, atje ku shpresojmë që të rikthehemi për një kohë shumë të shkurtër.

Do të bëjmë më të mirën për ta mbyllur me nder këtë sezon dhe të fillojmë më pas të mendojmë për rikthimin. Jam besimplotë se Skënderbeu do të rikthehet më i fortë se më parë dhe ambicia është e madhe.

E shoh çdo ditë dhe e ndiej dëshirën për të treguar edhe një herë se ky ekip dhe ky qytet meritojnë të jenë në komandën e kampionatit”, theksoi fillimisht Liçi.

Në vijim trajneri Liçi tregon se do të besojë më shumë te lojtarët, që pritet të jenë boshti i Skënderbeut për sezonin e ardhshëm.

“Lojtarët që nuk kishin më ambicie për të qëndruar këtu, janë larguar dhe kanë mbyllur bashkëpunimin me ne. Të tjerët janë këtu dhe të hapur për çdo lloj bisedimi dhe do të shihet në vazhdim.

Ne do të provojmë edhe në këtë ndeshje të fundit ata lojtarë, që mund të na shërbejnë në të ardhmen”, deklaroi Liçi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL