Ndeshja e Apolonisë ndaj kavajasve, flet Klevis Dalipi: E vështirë me Besën, por ia dalim!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2022 | 11:08

Ndeshja e Apolonisë ndaj kavajasve, flet Klevis Dalipi: E vështirë me Besën, por ia dalim!

Apolonia udhëton në Peqin sot, atje ku e pret Besa, dhe Klevis Dalipi as që e mendon “blofin”. Ndonëse gjatë kësaj jave nuk e ka pasur grupin e plotë (pasi disa nga të rinjtë ishin të angazhuar me ekipin U-19, në Champions Youth League), kjo nuk e ka penguar që të ndërtojë formacionin më të mirë. Këtë ai e pohon edhe për “Panorama Sport”:

Klevis Dalipi

“Kemi zhvilluar ndeshje të mira në këtë fillimsezoni. Kjo është ajo që unë dëshiroj. Nëse luajmë mirë, pikët do të vijnë vetë. Nuk duhet harruar kurrsesi se kanë kaluar vetëm dy javë dhe ne duhet të përmirësohemi.

E kemi arkivuar me kohë Turbinën. Morëm fitoren e parë ku nga njëra anë sulmuesit tanë u ‘zhbllokuan’ duke gjetur disa herë rrugën e rrjetës, dhe nga ana tjetër pësuam dy gola të evitueshëm në shtëpinë tonë. Kemi kthyer me kohë kokën te Besa, kundërshtar që ka një tjetër mënyrë së përgatituri.

Jemi stërvitur me intensitet të lartë pavarësisht se nuk e kemi pasur grupin e plotë të lojtarëve. Jo pak, por pesë mungesa në seancat e fundit stërvitore.

Vështirësia jonë erdhi si rrjedhojë e Apolonisë U-19, që pati një ndeshje shumë të rëndësishme në Kazakistan dhe disa lojtarë të ekipit të parë ishin pjesë e formacionit të tyre. Pjesa tjetër e ekipit është në harmoni të plotë dhe është stërvitur rregullisht në prag të ndeshjes me Besën.

A do të aktivizohen? Di të them, që ata kanë ardhur të premten në Shqipëri. Bënë një paraqitje dinjitoze në Kazakistan dhe kanë shanse për kualifikimin.

Pjesën tjetër do ta shohim rrugës”. Tekniku i bardhejeshilëve u ndal te Besa dhe qartazi e thotë që objektivi është maksimumi i pikëve.

“Kjo transfertë, edhe pse në fushë neutrale, ka vështirësinë e saj dhe pa frikë mund ta them që është delikate. E kam theksuar dhe më parë që Kategoria e Parë nuk ka kundërshtarë të lehtë. Ne i kemi dhënë rëndësinë e duhur sfidës dhe sigurisht vlerësimin maksimal për Besën.

Hyjmë me besim të plotë në fushën e lojës për të dhënë dhe marrë maksimumin tonë”, përfundoi Dalipi.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"