Ndeshja Besa-Apolonia, përplasen stafet drejtuese. Lumë shishesh drejt arbitrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shkurt 17, 2020 | 8:50


Ndeshja Besa-Apolonia, përplasen stafet drejtuese. Lumë shishesh drejt arbitrave

Është mbyllur me shumë tension takimi Besa-Apolonia. Kavajasit kanë pasur shumë kontestime për gjykimin, që sipas tyre ka anuar dukshëm nga Apolonia. Në fund të takimit, kur forcat e policisë private po shoqëronin gjyqtarët drejt dhomave të zhveshjes, nga tifozët e Besës që ishin sistemuar në tribunën A, janë hedhur një lumë shishesh plastike dhe sende të tjera të forta. 

besa apolonia

 

Gjyqtarët u ruajtën derisa futën kokat në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes. Më pas, një zënkë ka shpërthyer edhe në pjesën “VIP” të tribunës qendrore të stadiumit “Roza Haxhiu” midis stafeve drejtuese të Besës dhe të Apolonisë.

Ndryshe nga presidentët Nexhat Bizhdili dhe Koço Kokëdhima, të cilët kanë qenë shumë të qetë në ato momente, stafet që shoqëronin ata janë përplasur me njëri-tjetrin, duke u ofenduar dhe shtyrë mes tyre. Një oficer policie ka dalë nga dhoma e monitorimit dhe ka qetësuar situatën.

dhdhd (1)

Të gjithë kanë qëndruar disa minuta në ambientet e brendshme të stadiumit të Lushnjës dhe më pas kanë dalë jashtë pa probleme. Gjatë gjithë ndeshjes, por sidomos gjatë pjesës së dytë, tifozët e Besës kanë qenë të papërmbajtshëm. Ata kanë hedhur shishe plastike në fushën e lojës dhe kanë sharë në kor gjyqtarët, me në krye ndërkombëtarin Eldorjan Hamiti.

Kanë qenë punonjësit e stadiumit që kanë larguar shishet nga fusha e blertë, ndërkohë që zyrtarët e ndeshjes me siguri kanë mbajtur gjithçka shënim për këto episode dhe për Komisionin e Disiplinës do të ketë punë.

/PANORAMASPORT.AL/




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com