“Ndërtuam ekip për 2 javë”, Ilir Gjyla: Na ikën 16 lojtarë, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2020 | 23:51

“Ndërtuam ekip për 2 javë”, Ilir Gjyla: Na ikën 16 lojtarë, por…

Ilir Gjyla “skanon” Lushnjën. Përtej hum bjes me Pogradecin, trajneri krenohet me ekipin e tij. Në një skuadër ku dominojnë të rinjtë, ai mendon se verdhejeshilët janë në rrugën e duhur.

iLIR gJYLA

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport” zbulon edhe planin për të marrë kreun në mbyllje të 2020-ës. Lushnja reagoi, është më i qetë Gjyla?

Unë e thashë edhe para ndeshjes, ndonëse siguri nuk kisha. Ishte si një ndeshje prove dhe ia dolëm. E prisja që do të ktheheshim, pasi ajo humbje me Pogradecin ishte momentale. Të reagosh brenda 3-4 ditëve tregon potencial dhe forcë. Për të qenë të sinqertë, u gëzova…

Rëndon ende ajo humbje 0-3 në shtëpi…

Do t’ju them dhe një tjetër gjë. Është e vërtetë që rezultati ishte 0-3 dhe nuk e them për justifikim, por ajo e Pogradecit ishte një ndeshje që u zgjidh me fragmente. U bënë dy gola për dy minuta dhe me skuadrën që kemi ne… mos harroni që 10-12 futbollistë për herë të parë luajnë me ekipin e parë. Nuk mund ta kthesh dot nga 0-2. Edhe një skuadër më e madhe nuk do të mund ta kthente dot në favor nga 0-2.

Sa vlerë ka kthesa ndaj një Flamurtari që kishte dy fitore radhazi?

Reagimi erdhi shpejt dhe me një skuadër që vinte pas dy fitoreve radhazi. Ne, duke respektuar veten, respektojmë edhe kundërshtarin. E dinim forcën e Flamurtarit, e kishim parë në 2-3 ndeshje dhe mendoj se iu përgjigjëm mirë.

A jeni i kënaqur nga ecuria e deritashme, kur keni edhe 90 minuta të fundit në shtëpi me Turbinën?

Do të ishte më mirë të më pyesnit pas ndeshjes së fundit. Gjithsesi, edhe tani bëtë mirë që më pyetët. Unë edhe stafi jemi shumë të kënaqur, pasi ndërtuam një skuadër me të rinj për dy javë, pasi na ikën 15-16 futbollistë. Gjysma e tyre janë lushnjarë, në një kohë që 10 vjet nuk ishte afruar asnjë futbollist.

Ndërkohë që, ne gjatë këtyre tre vjetëve kemi afruar elementë vendës që po luajnë edhe në formacion. Këtu po përmend Mikel Bregun, Aldo Banin, Adriatik Bashën, Alemao Zdravën dhe Skënder Dedejn. Kemi disa djem të rinj të ardhur nga rrethet, por që nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të ekipit të parë në asnjë klub. Të ndërtosh skuadrën brenda dy javësh dhe të kesh këto rezultate, unë mendoj që është pozitive.

Me këta të rinj, Lushnja është e dyta…

Nuk shoh pozicionin ku ndodhemi. Në barazimin me Tomorin kemi humbur dy pikë. E kishim ndeshjen nën kontroll. Duhet të kishim kaluar në avantazh disa herë. Edhe pse nuk i kemi këto pikë, unë jam i kënaqur me aq sa kemi. Me të vërtetë kemi pësuar një humbje, por është normale dhe kjo i ndodh çdo skuadre. Jo, po ishte e thellë etj., etj. Mund të shkonte edhe 0-5. Ne e lamë skuadrën me tre mbrojtës për të kapur diçka. Nuk kapëm, pësuam në fund. Në përgjithësi jam i kënaqur, jo thjesht vetëm nga pikët, por edhe nga loja, nga ajo çfarë kemi treguar.

Pandemia dhe dëmtimet sa ju kanë penalizuar?

Të mos harrojmë që kemi luajtur 4-5 ndeshje me 7 mungesa në formacion. Ose më saktë, në skuadër, sepse përfundimi është se lojtarët që janë, aty kanë luajtur të gjithë në formacion. E përgjithshmja është pozitive, si në aspektin fizik, teknik, taktik edhe sa i takon dëshirës që kanë pasur futbollistët, për të luajtur dhe për të marrë pikët.

Vitin 2020 e mbyllni me Turbinën në shtëpi. Besoni te kreu?

Po nuk e respektove kundërshtarin, nuk mund të fitosh dot ndeshjen. Skuadrat nuk kanë ndonjë disnivel të madh me njëra-tjetrën. Nëse nuk i vlerëson, atëherë mund të mundesh edhe nga skuadra e të rinjve të Turbinës. Duke i dhënë hakun, marrim edhe masat. Objektivi ynë është patjetër fitorja.

Por, pres që ky plan të mos mbetet në letra dhe në fjalë. Këtë synim kishim edhe me Pogradecin, por nuk dhamë asgjë në fushë. Në momentin që nuk japim gjë, nuk mund t’i marrim as pikët. Atëherë duhet që ky pësim që bëmë me Pogradecin, ashtu sikurse reaguam me Flamurtarin, të reagojmë edhe me Turbinën. Të japim maksimumin. Nëse është Turbina më mirë se ne, le ta fitojë ndeshjen. Por, unë mendoj se, nëse japim maksimumin, suksesi do të flasë për ne.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"