“Ndërtojmë grup ambicioz, përforcojmë çdo repart”, Kashami: Financat e sigurta, tani nis merkato për Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2021 | 17:59

“Ndërtojmë grup ambicioz, përforcojmë çdo repart”, Kashami: Financat e sigurta, tani nis merkato për Besën

Heshtjes po i vjen fundi në Kavajë. Verdhezinjtë startuan përgatitjet më 26 korrik, por deri tani i vetmi afrim është ai i mbrojtësit Nertil Hoxhaj. Vërtet kanë ruajtur bazën e titullarëve nga sezoni i kaluar (pjesë e të cilit janë Muçaj, Tafili, Perja, Dobjani, Kaina, Zeqiri e Zekolli), por ky kontigjent është i pamjaftueshëm për synimet që kavajasit kanë. Një javë më parë, shkodrani Alsid Tafili apeloi që merkatoja të mos vonohej dhe duket se presidenti Nexhat Bizhdili ia ka vënë veshin. Kështu, nga e sotmja pritet të vijnë afrimet e premtuara.

Kashami Besa

JAVË VENDIMTARE

Kjo javë do të jetë ajo e “bumit” për përforcimet e verës. Këtë e pohon enkas për “Panorama Sport” trajneri Ndriçim Kashami. Ai evidenton se financat janë të sigurta, ndaj afrimet nuk do të vonojnë. Organika do të pasurohet në të gjitha repartet, pasi vetëm kështu mund të ndërtohet një Besë ambicioze.

“Tani them se jam i qetë, pasi financat janë të plota e të sigurta. Vetëm tani jemi të gatshëm të nisim merkaton dhe besoj se nga sot do të shihni në stërvitje futbollistë të rinj. Bëhet fjalë për një rikthim nga titullarët e sezonit të kaluar, mesfushor me vlerë e që na bën shumë punë. Po ashtu një sulmues tjetër krah Kainës pres të na bashkohet.

Presidenti Bizhdili vijon t’i ‘bindë’ për t’u veshur verdhezi disa futbollistë, bazuar në nevojat që ne si staf i kemi paraqitur. Nëse flasim për nevojat, mund të them se ekipi ka nevojë për përforcime në të tria repartet. Ndaj, pres që të ketë bum afrimesh, gjithnjë titullarë që pretendojnë formacionin, e jo futbollistë plotësues.

Kur nisëm stërvitjen, vërshuan mjaft vetofrime nga menaxherët, kolegë e prindër, për t’u bërë pjesë jona. Presidenti Bizhdili vendosi që askush nuk do të pranohej te Besa, thjesht se ka dëshirë. Do të rindërtohet një grup vërtet ambicioz e që do të mund të synojë objektivin tonë madhur sikurse është Superiorja.

Ndaj, ndihem mirë tani që në ekip do të afrohen lojtarë që kanë mbi shpatulla vite karrierë, qoftë në elitë apo në Kategorinë e Parë. Më falni që nuk mund t’u citoj emrat, pasi ju e dini se në Shqipëri nuk është e lehtë të merren lejekalimet. Po ju siguroj se nga sot deri të shtunën do të shihni prurje të reja t’u bashkohen verdhezinjve”, përfundon Ndriçim Kashami, “timonieri” i Besës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"