“Ndërrimet në pushim m’i prishën planet”, Bubeqi: Tifozët lushnjarë më emocionuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2022 | 23:43

“Ndërrimet në pushim m’i prishën planet”, Bubeqi: Tifozët lushnjarë më emocionuan

Besa nuk mori dot pikë në “Roza Haxhiu”, duke i komplikuar edhe më shumë pozitat. Dorjan Bubeqi e kishte menduar ndryshe ndeshjen me Lushnjën, por planet iu prishën në pushim. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai tregon tersin që i ndodhi në dhomat e zhveshjes.

bubeqi besa

“Hymë në lojë në atë atmosferë vërtet të ngrohtë. Ekipi luajti mjaft mirë në pjesën e parë. Ishim thuajse të barabartë dhe arritëm ta mbyllnim pa pësuar gol. Ndërsa mbaroi kjo pjesë, në dhomat e zhveshjes Perja e Hoxha më kërkuan të mos dilnin në fushë në pjesën e dytë pasi kishin dhimbje në këmbë e kofshë. Përveçse më mungonin kapiteni Muçaj e sulmuesi Meçja, dalja e Hoxhës thuajse më la pa sulmues, shto këtu Perjen që mban gjallë prapavijën.

Në pjesën e dytë, sidomos pas pësimit të golit, isha i bindur se lojtarët e rinj që tashmë kisha hedhur në fushë, vështirë se mund të barazonin jo më të kthenin ndeshjen. Gjërat duhen parë e thënë siç janë dhe nuk dua t’i përsëris 100 herë. Mjaftojnë 3 lojtarë titullarë të më mungojnë më prishin gjithë situatën në ekip.

Bubeqi

Stoli i Besës përbëhet nga të rinj plot pasion, por jo me atë cilësi që duhet në Kategorinë e Parë”, tha fillimisht tekniku, i cili merr lajme të mira para Vorës. Rikthehen nga pezullimet Muçaj e Meçja, ndërsa në rikuperim të plotë janë Perja, Hoxha e Hyseni. Ata do të jenë gati dhe kavajasit do të tentojnë të marrin një trepikësh që do i linte të qetë nga “kërcënimet” e rrëshqitjes në fundin e tabelës.

PRITJA NË LUSHNJË

Ajo që ra në sy që në start të ndeshjes me Lushnjën, madje që në nxehmje, ishin koret e tifozëve vendës: “Bubeqi-Bubeqi”. Duket se kontributi i madh që ish-sulmuesi ka dhënë për fanellën lagunare nuk është harruar kurrë. Kjo e ka bërë të ndihet mirë kavajasin, që u kthye për herë të parë si trajner në “Roza Haxhiu”. “

Që në nxehmje u krijua një atmosferë mikpritjeje për mua. U ndjeva i nderur. Sa herë kam zbritur në stadiumin e Lushnjës, ultrasit kurrë s’kanë harruar të më brohorasin dhe u jam borxhli, sikur dje kur shënoja, ashtu edhe sot. Kjo natyrisht ndikoi pozitivisht edhe te lojtarët e mi”, përfundoi tekniku.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"