Ndërprerja si me porosi, Korabi reflekton për 2 humbjet radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2019 | 21:16

Ndërprerja si me porosi, Korabi reflekton për 2 humbjet radhazi

Dy humbjet radhazi në fundin e fazës së parë, me Egnatian në transfertë dhe me Kastriotin në Peshkopi, i kanë zbritur dibranët me “këmbë në tokë” dhe i kanë bërë të kuptojnë qartë se ngjitja në Superiore kërkon shumë mund dhe ndoshta edhe më shumë cilësi. 

korabi

Korabi udhëhoqi renditjen e Grupit A për disa javë, duke krijuar përshtypjen se do të jetë rival i denjë për kreun, por dy hapat falsë të javëve të fundit, sikur ia kanë zbehur entuziazmin. Trajneri Dorian Bubeqi u shpreh pas humbjes me Kastriotin se disa lojtarë janë të rinj në moshë dhe nuk arrijnë të përballojnë emocionalisht ndeshjet e vështira, ndaj dhe nuk shprehen si duhet në fushë.

Ndoshta ndërprerja e kampionatit këtë fundjavë ka ardhur si me porosi, sepse do ta ndihmojë ekipin dibran të kalojë goditjen psikologjike që ka marrë nga dy humbjet radhazi dhe të reflektojë para sfidës me Besëlidhjen. Do të jetë “e treta, e vërteta” për dibranët, të cilët, nëse mundin Besëlidhjen, një tjetër ekip pretendent për Superioren, mund të rifitojnë besimin e lëkundur në javët e fundit. Fati i mirë i skuadrës së trajnerit Bubeqi është se edhe pas dy humbjeve radhazi, mban vendin e dytë.

Fatmir Zhuzhi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"